Pas dorëheqjes, ish-ministri Latifi flet për shëndetësinë në Kosovë: E rrënuar nga korrupsioni
Ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, në Bruksel ka takuar raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon bashkë me euro deputetët, Lukas Mandl, Radovan Kanev, Karlo Ressler dhe Andreas Schiedler.
Gjatë këtij takimi, temë diskutimi ishte gjendja aktuale e kujdesit shëndetësor në vend dhe rruga e transformimit.
Latifi tha se shëndetësia në Kosovë është e injoruar dhe e lënë pas dore, e keqmenaxhuar, e rrënuar nga korrupsioni, me infrastrukturë të vjetër e me kushte jo të duhura për pacientët.
“Shëndetësia e Kosovës ishte injoruar dhe e lënë pas dore, është keqmenaxhuar, është rrënuar nga korrupsioni madhor në të gjitha shtresat e shërbimeve shëndetësore dhe e segmentuar politikisht në forma të ndryshme për tri dekada. Andaj, mund të karakterizohet me siguri edhe me cilësi të ulët të shërbimeve klinike, mungesë të ekspertizës dhe aftësive klinike, mungesë të infrastrukturës moderne, e mbi të gjitha mungesës së aftësive menaxheriale, të cilat në masë të madhe e mbisundojnë sistemin shëndetësor të Kosovës. Shumica e pacientëve me diagnoza komplekse (dhe disa me probleme relativisht të thjeshta kirurgjikale ose mjekësore) dërgohen institucioneve publike ose jashtë vendit për trajtim, me një kosto astronomike”, është shprehur Latifi.
Tutje, ai foli edhe për shtretërit e spitaleve publike, ku sipas tij, vetëm 50 për qind e tyre janë të shfrytëzueshëm. “Infrastruktura spitalore është e vjetër, ose e cilësisë së ulët dhe janë të shumta objektet spitalore të filluara, por jo të përfunduara ose të papërfunduara prej shumë vitesh për arsye të ndryshme, që duken si ndërtesa fantazmë që shpërbëhen vit pas viti”, ka thënë ai.Ish i pari i Shëndetësisë, më tej tha se buxheti për kujdesin shëndetësor është më i ulëti në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ndër më të ulëtit në botë
Bottom of Form
=