Pas dy javësh vijnë 33 mijë vaksina, menjëherë do të fillojë vaksinimi i qytetarëve
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se pas dy javësh në Kosovë do të arrijë kontingjenti i parë prej 33 mijë dozave të vaksinës COVAX dhe menjëherë do të fillojë vaksinimi i qytetarëve. Hoti përmes një postimi në rrjetin social Facebook, po ashtu tha se nga takimi i përbashkët i ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtorit të IKSHPK-së Naser Ramadani dhe drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi me kryeministrin, u mor vendimi që të mos ketë ndryshim të masave anti-COVID, por të mbesin në fuqi ato aktuale, shkruan Reporteri.net. Tutje ai bën thirrje tek qytetarët që të respektojnë masat anti-COVID, ndërsa nga institucionet përgjegjëse të shtojnë angazhimin për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19 përmes respektimit rigoroz të masave në fuqi. Ndryshe në 24 orët e fundit, tetë persona kanë humbur jetën si pasojë e infektimit me coronavirus, teksa janë konfirmuar edhe 632 raste të reja pozitive, shifër kjo më e larta për vitin 2021.Po ashtu në raportin ditor të IKSHPK-së bëhet e ditur se janë shëruar edhe 397 pacientë që ishin të infektuar me virusin SARS CoV-2, shkruan Reporteri.net.Numri total i rasteve pozitive është 75.380 raste nga 345.064 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.682 raste të vdekjes.Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 63.380 raste, kurse numri i rasteve aktive është 10.318. Ky është postimi i plotë i Hotit:Në takim me ministrin e Shëndetësisë, z. Armend Zemaj, drejtorin e IKSHPK-së, z. Naser Ramadani dhe me drejtorin e SHSKUK-së, z. Valbon Krasniqi, vendosëm që të mbesin në fuqi masat e njëjta anti Covid-19.Institucionet shëndetësore po funksionojnë me kapacitete të plota, furnizimi me barna është stabil, ndërsa deri në fund të muajit pritet të arrij kontingjenti i parë i prej 33 mijë dozave të vaksinës COVAX dhe menjëherë të filloj vaksinimi i qytetarëve.Nga qytetarët kërkuam që të respektojnë distancën fizike, të përdorin maskat dhe të mirëmbajnë higjienën personale. Ndërsa institucionet përgjegjëse të shtojnë angazhimin për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19 përmes respektimit rigoroz të masave në fuqi.