Pas Gjakovës, fenomeni i rrezikshëm i vetëlëndimit nga “TikTok” arrin në Kamenicë
Fenomeni i rrezikshëm nga “TikTok” i vetëlëndimit, pas Gjakovës ka prekur edhe komunën e Kamenicës.
Të premten në këtë komunë nga Drejtoria e një shkolle të mesme janë raportuar rastet e para.
Lajmin për Telegrafin e ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
“Ju njoftoj se me datë 11.10.2024 rreth orës 14:00, Policia e Kosovës, Stacioni Policor Kamenicë është njoftuar nga Drejtoria e një shkolle të mesme të ultë në fshatin Koretin, komuna e Kamenicë se në këtë shkollë disa nxënës të klasave të teta dhe nënta kanë provuar të lëndojnë veten, dyshohet shkak sfida në rrjetin sociale në Tik-Tok”, ka thënë Hashani.
Ai ka shtuar se Policia e Kosovës njësia e hetimeve kanë dalë në vendin e ngjarjes.
“Në këtë rast nuk raportohet për të lënduar. Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që në lidhje me rastin të përpilohet një shënim zyrtar”, ka thënë Hashani.
Telegrafi ka provuar të kontaktoj edhe me drejtorin e DKA-së në Kamenicë, por i njëjti deri në publikimin e këtij artikulli nuk është përgjigjur.
Kujtojmë se javën e kaluar në Gjakovë janë zbuluar rreth 20 raste të vetëlëndimit të nxënësve nga kjo sfidë e rrezikshme e “TikTok-ut” marrë nga ./Telegrafi/