Pas votimit, Ministria e Financave jep detaje rreth tërheqjes së 10% të Trustit
Dallime nuk do të ketë. Si ata që i kanë më pak se 100 euro, si ata që i kanë mbi 20 mijë euro në Trust, të gjithë pa përjashtim do të mund të tërheqin 10 % që u takon.
Dritën jeshile për këtë e dhanë 64 deputetët në Kuvendin e Kosovës, kur të hënën çuan dorën e tyre pro miratimit në parim Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.
Si kësaj here ashtu edhe leximin e dytë, sipas zëvendësministrit të Financave, Kushtrim Brahimaj, deputetët duhet të veprojnë njëjtë.
“Qytetarët do të mund të tërheqin 10 % të totalit të mjeteve të tyre që janë grumbulluar në këtë Trust. Duhet të mbetet pa limit që këto fonde të Trustit të dalin në treg sepse është e rëndësishme të arrihet qëllimi ynë për rimëkëmbje ekonomike duke pasur mjete shtesë në treg”, theksoi ai për Front Online.
Projektligji që u votua në parim tek në tentimin e 7-të nuk mbaron me kaq.
I njëjti parashesh ndihmesa e lehtësira edhe për bizneset e prekura nga pandemia Covid-19.
“Do të jenë lehtësira tatimore për disa kategori, në 8 % të TVSH-së. Do të ketë projekte që bizneset të kenë qarkullim, mbulesë me garanci të cilat i mbulon shteti. Projektligji do të japë drejtime të duhura, lehtësime të duhura. E përmenda edhe lehtësimin që Ministria e Financave të krijojë shtyrje të tatimeve për bizneset deri në 2 vjet për shoqëritë tregtare”, ka thënë Brahimaj për Front Online.
Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike nuk mori pëlqimin e deputetëve të dy partive opozitare, VV e PDK-ja, nën arsyetimin se i njëjta nismë ligjore s’ka të bëjë me rimëkëmbjen.
Për të hyrë në fuqi, Projektligji duhet të kalojë në Kuvend edhe në leximin e dytë, shkruan Front Online.
Me të ndodhur kjo, Projektligji në fjalë shkon së pari për dekretim te Presidenti e më pas të publikohet në Gazetën Zyrtare.