PDK do ta shqyrtojë iniciativën e VV-së për rrëzimin e Qeverisë Hoti

0

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se VV do të nis mbledhjen e nënshkrimeve për mocionin e mosbesimit kundër Qeverisë Hoti. Për këtë duhet edhe mbështetja e Partisë Demokratike të Kosovës.

Për këtë, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se janë njoftuar me shkresë administrative nga lëvizja Vetëvendosje për mocionin që do ta rrëzonte Qeverinë e Avdullah Hotit, njofton Insajderi.

Ai ka shtuar se PDK do ta trajtojë këtë çështje brenda strukturave të saj, për këtë nuk mund të ketë qëndrim momental mbi këtë çështje.

“Para pak kohe më kanë njoftuar nga administrata të grupit parlamentar që ka ardhur një shkresë prej Lëvizjes Vetëvendosje, paraprakisht me mua askush nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka kontaktuar, nuk ka biseduar për këtë temë. Ne si shkresë do ta trajtojmë brenda strukturave të Partisë Demokratike të Kosovës, varësisht prej situatës apo prej se sa është serioze kjo ne do marrim qëndrim. Pa e shqyrtuar brenda strukturave të partisë nuk marrim qëndrim kur të trajtohet do të dalim me qëndrim”, tha ai.

Partia Demokratike e Kosovës kishte votuar pro mocionit mosbesimit kundër Qeverisë Kurti më 25 mars të këtij viti. /Insajderi.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *