PDK e vetme në kërkesën për tërheqje të Trustit, kundërshtohet nga VV-ja e LDK-ja
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) duket se do të mbetet e vetme në propozimin që t’iu mundësohet qytetarëve edhe një tërheqje e kursimeve nga Trusti Pensional, deri në 30 për qind, pasi VV-ja e LDK-ja nuk po e përkrahin këtë propozim.Nga LDK-ja thonë se ekonomia po funksionon mirë, ndërsa VV-ja e quan “propozim të varfër intelektualisht” dhe propagandë të PDK-së këtë propozim.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, e ka shpjeguar propozimin që qytetarëve t’iu lejohet të tërheqin deri në 30 për qind të kursimeve të tyre pensionale. Ai ka treguar se “me kërkesë të qytetarëve” do të kërkojë që të riprocedohet në Kuvend amandamenti që ishte hedhur poshtë kur ishte miratuar Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike.
Si arsye kryesore e tij për këto propozime janë rritja e çmimeve të produkteve ushqimore në Kosovë, teksa thotë se ato janë më shtrenjtë se në Gjermani. Mirëpo me këto propozime nuk po pajtohet partia më e madhe në pushtet Lëvizja Vetëvendosje dhe as partia në opozitë Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, në një bisedë për Ekonomia Online e ka cilësuar propozimin e PDK-së të varfër intelektualisht.
Muja tha se qëndrimi i VV-së edhe në të kaluarën edhe tash është i njëjtë që kjo praktikë nuk duhet të lejohet.
“Ne e kuptojmë që ka vështirësi në Kosovë dhe qeveria Kurti ka filluar t’i adresojë. Qeveria Kurti ka ardhur në pushtet të ofrojë perspektivë për të rinjtë. Gjatë qeverisjes së PDK-së dhe LDK-së, mbi gjysma e të rinjve kanë shprehur dëshirë që të largohen jashtë vendit. Dhe kjo vështirësi vazhdon të jetë, por Qeveria Kurti ka marrë masa që nga viti i ardhshëm t’i adresojë këto problematika, si punësimin e të rinjve dhe mbështetjen për biznesin e grave. Rritja ekonomike është rekord këtë vit 9.9 për qind”, tha Muja.
Ndonëse e kishte miratuar një vendim të tillë në kohën sa ishte kryeministër, sot Avdullah Hoti thotë se një praktikë e tillë nuk duhet të vazhdojë dhe propozimi nuk duhet të vijë në Kuvend.
Ai thotë se bizneset janë duke funksionuar mirë dhe punësimi është normalizuar.
“Ne tash duhet të gëzohemi që po e përmbyllim pandeminë dhe ato pakot e mbështetjes ekonomike të promovuara në Qeverinë tonë kanë dhënë rezultate, sepse kanë kthyer menjëherë në janar ekonominë në trend pozitiv dhe nuk jemi në situatë që të ndërmarrim veprime të tilla. Nuk besoj që është e nevojshme të vijë në Kuvend, sepse bizneset janë duke funksionuar, punësimi është normalizuar dhe nuk ka arsye të marrim hapa radikalë”, tha Hoti.