PDK-ja e Prizrenit zgjedhjet e 14 shkurtit i sheh si referendum edhe për qeverisjen komunale

0

                   Drejtuesit e degës së PDK-së në Prizren kanë shprehur qëndrimin se zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 14 shkurt 2021, paraqesin referendum edhe sa i përket zgjedhjeve komunale që pritet të mbahen në vjeshtë të këtij viti. Madje i kanë bërë thirrje individëve që besojnë në programin e kësaj partie që t’i bashkohen asaj, me qëllim të rikthimit të pushtetit në Prizren.“Në emër të degës i bëjmë ftesë të gjithë atyre të cilët janë të interesuar ta mbështesin programin tonë që të bëhen pjesë e subjektit tonë politik, sepse zgjedhjet e 14 shkurtit nuk janë vetëm zgjedhje për Parlamentin e Kosovës, por janë edhe një referendum për ta rikthyer qeverisjen lokale në Prizren, për faktin se kemi parë një degradim total të qeverisjes në këto tri vitet e fundit. Jam i bindur se bashkë me qytetarët e Prizrenit, në vjeshtë të këtij viti kur mbahen zgjedhjet komunale, do ta rikthejmë qeverisjen e mirë në qytetin e Prizrenit”, ka thënë nënkryetari i degës së PDK-së në Prizren, Kujtim Gashi.Ai bashkë me kryetarin e degës, Shaqir Totaj të hënën në selinë e degës kanë prezantuar aderimin e profesorit, Zenel Elshani në këtë subjekt politik.“Besoj që ky nuk do të jetë aderimi as i pari e as i fundit në PDK në këtë periudhë”, ka deklaruar Gashi, duke shtuar se veprimet e kësaj partie opozitare në Kuvendin e Kosovës për nismat që kanë qenë në interes të qytetarëve nuk kanë kaluar pa u vërejtur nga profesionistët e lëmive të ndryshme, duke i shtyrë që ta mbështesin programin e rimëkëmbjes.  Ndërsa kryetari i degës së PDK-së, Shaqir Totaj ka theksuar se PDK-ja në mënyrë të padrejtë është stigmatizuar dhe demonizuar pa arsye nga subjektet tjera politike.

“Por, PDK-ja mbetet forcë politike numër një në vend dhe si e tillë është atraktive për shumë persona, të cilët e kanë një të kaluar profesionale. Nëse nisemi nga fakti që personat që kanë të kaluar kanë edhe të ardhme, të njëjtit e kanë vlerësuar PDK-në si faktor politik, të cilit duhet ti bashkohen dhe tek i cili do të gjejnë hapësirë për të dhënë kontribut. Prandaj sot e prezantoj shokun tim të studimeve, profesorin e pedagogjisë Zenel Elshani, i cili specializimin e ka kryer në Irlandë dhe ka pas funksione të rëndësishme…”, është shprehur Totaj, duke shtuar se Elshani ka qenë nënkryetar i degës së Nismës në Prizren. Ai ka vlerësuar se gara zgjedhore mbetet e hapur dhe se “me angazhimin e përkrahjen e strukturave dhe qytetarëve do të dalim shumë mirë më 14 shkurt”.Ndërsa Zenel Elshani ka theksuar se angazhimin politik e ka filluar në vitin 2014, dhe se pas Nismës ka vendosur që t’i bashkëngjitet PDK-së, marrë parasysh veprimet e saja të fundit për respektimin e vullnetit to sovranit, pastaj votimin e buxhetit dhe pakos ekonomike duke qenë në opozitë, si dhe hartimin e programit për rimëkëmbje të vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *