PDK kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme: Qeveria po e dëmton shtetin
Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu, ka deklaruar se Qeveria Kurti nuk është më legjitime për të qeverisur, derisa kërkoi që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.Abdullahu tha të enjten se Qeveria Kurti është duke e dëmtuar shtetin, sovranitetin dhe mirëqenien e qytetarëve.“Kjo Qeveri s’e ka bërë koordinimin, e presidentja po e bën vallen e njëjtë, brengosëse. Do të mbetemi pa viza pasi Macroni (presidenti francez) përmendi vizat dhe çështjet ekonomike e financiare. Nuk e di si ka kanë lidhë kryet këtë punë, në përballje me Serbinë të fitojnë, por pa ndërkombëtarë. Është shumë e vështirë. Nëse ka diçka që nuk bën, e këta po e bëjnë është qasja populiste e kryeneçe. Ta merr mendja që po udhëheqin një shtet 50 milionë banorë. Është e pakuptimtë, prandaj si zëdhënës e them prapë se ne duam të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme, nuk shkon më kështu”, ka deklaruar zyrtari i partisë opozitare.Sipas Abdullahut, Qeveria Kurti është e bindur se mund të fitojë ndaj Serbisë pa ndihmën e partnerëve ndërkombëtare, e siç ka shtuar ai, kjo është qasje e gabuar dhe e dëmshme.“Është e rrezikshme të mendohet e të veprohet kështu. A po duam të kemi zgjedhje, po, jemi për zgjedhje, të shtensionohet situata. Kjo qeveri po e dëshmon që nuk është hairi i saj të dëshmojë rend e ligj në veri. Nuk duam të jemi pjesë e kësaj budallakie politike. Kërkojmë nga kjo Qeveri që të krijojë situatë nën veri ku mund të ketë zgjedhje, ku mund të marrin pjesë të gjitha komunitetet dhe edhe ne si PDK të jemi të pranishëm në forma të ndryshme”, është shprehur ai.Zëdhënësi i PDK-së ka theksuar se edhe ky subjekt politik ka bërë gabime në të kaluarën gjatë qeverisjes, por siç ka shtuar ai, Qeveria Kurti po udhëheq nën masa sanksionuese, gjë që sipas tij, nuk do të duhej të ndodhte.“Kjo Qeveri nuk është legjitime për të qenë e pranishme as në veri, e as në Prishtinë. Jemi nën masa ndëshkuese. A ia vlen të ndëshkohemi kështu…Metodat si do të arrihet deri të zgjedhjet janë të rëndësishme, por ne jemi për zgjedhje të jashtëzakonshme për të larguar këtë mendësi qeverisëse që po e dëmton Kosovën. Gabimet që janë bërë, sot si PDK nuk mohoj gabimet që janë bërë, por ky ishte kërcënim politik çka ka thënë Macron”.