PDK: Këshilli Drejtues i hapi rrugë themelimit të Kabinetit të Qeverisjes së Mirë

 Anëtarët e Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, i kanë dhënë dritën e gjelbër nisjes së themelimit të Kabinetit të Qeverisjes së Mirë.

Me unanimitet, Këshilli Drejtues i PDK-së sot miratoi Rregulloren për funksionimin e Kabinetit të Qeverisjes së Mirë, që sipas statutit të PDK-së është parakusht për themelimin e KQM-së.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha në këtë mbledhje se PDK siç ka qenë alternativë për qytetarët në zgjedhjet lokale, ngjashëm do bëhet alternativë për qytetarët dhe për Kosovën në nivelin qendror.

“Këto zgjedhje na kanë mësuar atë qe e dinim e duhet ta mbajmë mend gjithmonë, se qytetari i Kosovës po ndryshon dhe se PDK-ja është në hap me ndryshimet për të cilat qytetari ka nevojë. Na kanë konfirmuar se fjalët, dramatizimet dhe ligjërimet, kurrë s’kanë qenë e kurrë s’do të jenë zëvendësim për afërsinë, ndjeshmërinë dhe trajtimin e përbashkët të temave konkrete me rëndësi për qytetarët e Kosovës. Dhe pa asnjë dyshim na kanë motivuar, për ta kapur këtë moment, e për ta përhapur këtë frymë jo më vetëm në transformimin e jetës së qytetarëve nëpër komuna, por edhe në nivelin qendror, sepse ky moment nuk është moment veç për PDK-në. Është para së gjithash, moment për qytetarin që ka nevojë sot më shumë se kurrë për një Parti Demokratike të fortë e unike, në të cilën ai mund të besojë planet e perspektivës dhe të ardhmes së tij. Prandaj, ky moment nuk mund të ikë. Dhe si kryetar i PDK-së, ju garantoj sot se nuk do ta lëmë të ikë.”, tha Krasniqi.

Kreu i PDK-së tha se është konsoliduar një agjendë e mirëfilltë parlamentare si opozitë, duke nxjerrë në Kuvend shumë debate e deficite të qeverisë aktuale dhe do ta vazhdojë betejën për qytetarët, përballë një qeverie të paaftë.

“Kjo jo vetëm që është detyrë e jona si opozitë, por është edhe detyrë ndaj qytetarëve sepse sfidat me të cilat po përballen qytetarët kërkojnë angazhim edhe më të madh nga ana jonë. Jo veç për të folë e ekspozu problemet, por edhe për të ofruar alternativë për to. Jam shumë i bindur se qytetarët e Kosovës sot e kanë shumë të qartë se pse i duhet Kosovës PDK-ja.”, tha Krasniqi.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, gjatë paraqitjes së rregullores së Kabinetit të Qeverisjes Mirë, tha se KQM do të përbëhet nga gra e burra ekspertë me kredibilitet të fushave të ndryshme që do të jenë nga Kryesia, Grupi Parlamentar dhe ekspertë jashtë PDK-së të cilët do të japin alternativën e ardhshme qeverisëse që do ta udhëheqë PDK-ja.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Drejtues, u diskutua edhe për rezultatet e Partisë Demokratike në Zgjedhjet e fundit lokale ku PDK ka fituar shumicën e komunave të mëdha të Kosovës, ndërsa u vendos për riorganizim të degëve të PDK-së që kanë shënuar rezultate të dobëta në zgjedhjet e fundit.

Anëtarët e Këshillit Drejtues të PDK-së kanë vlerësuar faktin që në tri vitet e fundit PDK ka qenë partia e vetme që raportet e Auditorit të Jashtëm i ka pasur të pakualifikuara, duke evidentuar menaxhim financiar efikas dhe transparent. Dhe për të vazhduar këtë çasje transparente të menaxhimit të financave, Këshilli Drejtues ka miratuar Rregulloren për Menaxhim të Financave.

Po ashtu, anëtarët e Këshillit Drejtues diskutuan dhe e vlerësuan lart nisjen e riorganizimit politik të PDK-së në mërgatë si dhe diskutuan për anëtarësimin e PDK-së në organizata ndërkombëtare simotra.