Penalltitë vendosën gjysmëfinalistin – Franca kalon tutje, Ronaldo dhe Portugalia eliminohet nga Euro 2024
Portugalia dhe Franca kanë barazuar me rezultat 0-0 pas 90 minutave dhe vazhdimeve, në një përballje me pak raste shënimi, ku fituesi doli pas gjuajtjes së penalltive, me francezët që ishin më të saktë duke kaluar në gjysmëfinale.
Dy skuadrat ishin aq të kujdesshme në pjesën e parë, duke mos prodhuar goditje të rrezikshme në portë.
Edouardo Camavinga provoi një herë nga distanca për Francën, ndërsa Bruno Fernandes kishte një goditje dënimi, por që gjuajtja e tij përfundoi mbi portë.
Pjesa e dytë ishte larg më e bukur se e para, me të dy skuadrat që rrezikuan më shumë.
Portugezët e nisën furishëm duke rrezikuar me Bruno Fernandes, Joao Cancelon dhe Vitinhan, por nuk arritën ë gjenin golin.
Rastin më të mirë në ndeshje e kishte Randal Kolo Muani, i cili gjuajti fortë nga Brenda zonës, por gjuajtja e tij u bllokua nga Ruben Dias për të përfunduar jashtë porte.
Camavinga kishte rast të mirë, por gjuajtja e tij nga afër shkoi jashtë porte.
Franca vazhdoi me sulme dhe goditja e Osumane Dembele ishte afër të përfundonte në rrjetë.
Pas 90 minutave, gola nuk kishte dhe skuadrat iu drejtuan vazhdimeve, të cilat sikurse koha e rregullt nuk sollën shumë.
Rastet më të mira i kishin Cristiano Ronaldo dhe Joao Felix, me gjuajtjet e tyre nga afër që përfunduan jashtë, duke lënë rezultatin e bardhë deri në fund.
Nga penalltitë më të suksesshëm ishin francezët që fituan me rezultat 5-3.