Pentagoni dërgon tanke në Ballkan?

0

SHBA mund ta transferojnë Regjimentin e Dytë të blinduar të ushtrisë tokësore nga Gjermania në ndonjë shtet tjetër të Evropës i cili gjendet afër Rusisë.

Këto janë fjalët e shefit të Pentagonit, Mark Esper, i cili tha se negociatat për këtë u zhvilluan me Poloninë, Rumaninë dhe Bullgarinë, si dhe me vendet baltike, transmeton gazeta ruse Sputnjik.

“Pas nënshkrimit të marrëveshjes me Poloninë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, takimeve të mia të fundit me ministrat nga Rumania dhe Bullgaria, si dhe letrave të marra nga shtetet baltike, u shfaq mundësia e transferimit të Regjimentit të Dytë të blinduar në një nga këto vende, në bazë të përhershme”, ka deklaruar Esper duke folur në një ueb-seminar në Këshillin Atlantik në Uashington.

Sipas tij, këto masa janë të nevojshme për Aleancën në mënyrë që të frenojë Rusinë.

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA njoftoi gjithashtu planet e SHBA për të rritur numrin e raketave me rreze të mesme dhe me rreze të shkurtër në Evropë dhe Azi. Sipas tij, kjo lidhet me rritjen e numrit të raketave të tilla në Rusi dhe Kinë, si pasojë e shkeljes së Marrëveshjes për likuidimin e raketave me rreze të mesme dhe me rreze të shkurtër.

Administrata e presidentit amerikan planifikon të tërheqë rreth 9.500 ushtarë nga bazat në Gjermani, duke përfshirë edhe skuadriljen e aeroplanëve luftarakë F-16, gjë që u kritikua edhe nga bashkëpartiakët e Trump-it, duke e konsideruar këtë si dhuratë për Rusinë dhe një kërcënim për sigurinë kombëtare amerikane. Aktualisht, amerikanët kanë më shumë ushtarë në Gjermani se në çdo vend tjetër në botë përveç Japonisë – rreth 35.000. Baza gjermane Rammstein është gjithashtu një pikë logjistike për trupat amerikane në bazat e tjera, duke përfshirë Bondsteel-in në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *