Për 4 muaj, 200 mijë kosovarë aplikuan për viza gjermane

                          Vetëm në katër muajt e fundit, 11% e popullatës së Kosovës ka kërkuar të shkojë në Gjermani.Që nga fillimi i dhjetorit e deri tani në fund të marsit, ambasada e këtij shteti në Prishtinë ka pranuar 199 mijë e 783 kërkesa për viza.Këtë muaj, në këtë ambasadë janë dorëzuar 48 mijë e 44 kërkesa. Rreth dy mijë më pak të tilla ishin në shkurt.Megjithatë, përfaqësia e këtij shteti ofron vetëm 500 deri në 800 terminë në muaj, përmes shortit, teksa ofron pesë mijë e 500 viza në vit.Qasja e privilegjuar e kosovarëve në tregun e punës, e ka bërë Gjermaninë destinacionin më të synuar për ta, njofton Klan Kosova.Kësisoj, shtetet tjera kanë dukshëm më pak kërkesa për viza.Ambasada e Zvicrës, gjatë muajve nëntor-janar, ka pranuar gjithsej tetë mijë e 737 aplikime për viza.Ndërsa për Kroaci në periudhën nëntor-mars, kanë aplikuar një mijë e 944 persona. Nëse vazhdon trendi i njëjtë, vetëm për një vit, nga Kosova do të donin të dilnin një e treta e qytetarëve.