Për rimëkëmbjen ekonomike ekspertët kërkojnë të hartohet pakoja e tretë

0

Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, njohës të ekonomisë dhe opozita kërkojnë nga Qeveria të nxjerr edhe një pako të tretë për rimëkëmbje ekonomike që është më gjithëpërfshirëse për qytetarët dhe bizneset.

Marrë parasysh vonesat për miratimin e Planit për rimëkëmbje ekonomike, partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje po pretendon se kjo Qeveri nuk ka vullnet dhe aftësi që të nxjerrë edhe një pako të re për mbështetjen e qytetarëve dhe bizneseve në pandemi.

Ndonëse, kryeministri Avdullah Hoti ka paralajmëruar se për vitin 2021, kjo qeveri ka paraparë një pako të re për rimëkëmbjen në shumën prej 182 milionë euro.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Hekuran Murati thotë se kjo Qeveri nuk ka planifikim dhe strategji për shëndetësi dhe plan për shpëtimin e ekonomisë si pasojë e pandemisë Covid-19.

“Qeveria është e paaftë të mendojë për pako sesi t’i ndihmojë ekonomisë së vendit dhe është e shkëputur nga realiteti, sepse e shohim që edhe vendimet për mbyllje, vendimet për masat janë ad-hok. Nuk ka planifikim, nuk ka strategji dhe çdo vendim në aspektin shëndetësor do të duhej të përcillej edhe me një plan në aspektin ekonomik… Sa i përket pakove të tjera, po shihet që kjo qeveri as me pakon e dytë-pakon e rimëkëmbjes që është miratuar nuk po dinë se si ta ekzekutojnë”, tha ai.

Ndërsa, deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi thotë se Kosova ishte dashur që tashmë ta ketë një pako të tretë ose të katërt për rimëkëmbje, pasi siç tha ai kështu kanë vepruar edhe vendet e rajonit.

Gashi thekson se me këtë neglizhencë që ka treguar qeveria, i ka sjellë dëme jashtëzakonisht të mëdha vendit dhe ekonomisë së saj.

Ndërsa, shton se PDK-ja nuk do ta mbështesë miratimin e buxhetit, pasi sipas kësaj partie, nuk është paraparë mbështetje për menaxhimin e pandemisë dhe ekonomisë në tërësi.

“Kosova ishte dashur që tashmë ta ketë një pako të tretë ose të katërt për rimëkëmbje, sepse kështu kanë vepruar edhe vendet e rajonit. Me këtë neglizhencë që ka treguar qeveria, i ka sjellë dëme jashtëzakonisht të mëdha vendit… Në analizat e para, projektligji nuk jep ndonjë indikator të saktë sesi do të menaxhohet pandemia dhe si do të ndihmohet ekonomia. Normalisht që do të jemi kundër, sepse nuk mund të jemi ne pjesë e improvizimeve që i bën Qeveria Hoti”, thotë Gashi.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu pohon se Qeveria duhet të ketë një qasje të re për ta mbështetur ekonominë dhe sektorin privat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *