Për vitin 2021 Qeveria planifikon të tjera fonde për Rimëkëmbje Ekonomike
Përmes një komunikate për media të Qeverisë të cilën e ka shpërndarë edhe kryeministri, Avdullah Hoti në Facebook, thuhet se deri në 182 milionë euro do të jetë vlera e fondit për rimëkëmbje e që do të shtohet nga burimet e jashtme.
“Do të vazhdojmë edhe në vitin e ardhshëm me fondin për rimëkëmbje, i cili është paraparë fillimisht në shumë prej 182 milionë euro, por që do të rritet me burime të tjera të jashtme”.
Deklarata e plotë
Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për tu përballur me COVID-19:
1. Në QKUK në Prishtinë dhe në spitale rajonale është ngritur në nivelin më të lartë mobilizimi i stafit shëndetësor:
a) Është organizuar orari i stafit shëndetësor në përputhje me numrin e pacientëve që mund të paraqiten në spitale,
b) Janë bërë planet operacionale të Klinikave në QKUK për të ofruar shërbime emergjente sipas prioriteteve,
c) Janë rritur kapacitetet me shtretër,
d) Janë rritur kapacitetet për furnizim me oksigjen të lëngshëm,
e) Është funksionalizuar Mjekësia Sportive ku janë fituar edhe 101 shtretër shtesë për pacientë me COVID-19,
f) Janë rritur kapacitetet për respiratorë duke shfrytëzuar hapësirat e Klinikës Endokrine që afërsi të Mjekimit Intensiv Qendror.
2. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik po bënë një punë kolosale:
a) Janë rritur testimet në mbi 2,000 në ditë dhe pothuajse kushdo që ka nevojë arrin të testohet brenda ditës (nga muaji shkurt e deri më tani janë 122 mijë qytetarë, prej të cilëve 116 mijë janë testuar nga data 4 qershor e deri më sot),
b) Po bëhet gjurmimi i rasteve dhe është ndërtuar sistemi i hetimit epidemiologjik, që na mundëson parashikimin te zhvillimit të epidemisë dhe rrjedhimisht marrjen e masave të nevojshme me kohë,
c) Po mbikëqyren vazhdimisht shkollat duke testuar nxënësit dhe arsimtarët dhe duke marrë vendimet e nevojshme për secilin rast,
d) Po mbikëqyren kontaktet me ekipet në terren,
e) Po përgatitet analiza ditore e gjendjes në terren që ndihmon institucionet shëndetësore të marrin veprimet e nevojshme.
3. Ministria e Shëndetësisë, në koordinim me ministritë dhe institucionet e tjera të përfshira në menaxhimin e situatës me COVID-19:
a) Është duke mbështetur dhe koordinuar punën e të gjitha institucioneve shëndetësore,
b) po koordinon punën me partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen që po e marrim me donacione dhe me këshilla,
c) Po punon në sigurimin e vaksinës krahas vendeve të BE-së,
d) Po koordinon veprimet me shtabet e komunave në veçanti në fushën e arsimit,
e) Ka bërë kategorizimin e komunave sipas numrit të të infektuarve dhe ka përcaktuar masat përkatëse,
f) Po koordinon ndërmarrjen e masave me grupet e interesit, si me oda ekonomike, me shoqata të ndryshme dhe grupe të tjera për të marrë vlerësimet e tyre për masat dhe për të kërkuar respektimin e tyre.
g) Inspektoratet dhe policia po punojnë ngushtë me komuna dhe institucione të tjera për të mbikëqyrë zbatimin e masave, duke punuar me orar të zgjatur.
h) Është ndarë buxhet shtesë për shëndetësi, për arsim dhe për komuna për tu përballur me gjendjen nga COVID-19.
4. Komunat kanë krijuar tanimë një sistem që funksionon plotësisht në mbikëqyrje të rasteve me COVID-19 në konsultim me institucionet qëndrore, janë funksionalizuar shtabet emergjente lokale, janë rritur kapacitetet e Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare në bashkërendim të aktiviteteve me nivelin qendror etj.
Megjithatë, situata me COVID-19 është e rëndë, ngjashëm siç është në rajon dhe në BE. Të gjithë duhet të ndihmojmë mjekët dhe infermierët tanë të përballen me këtë gjendje duke respektuar masat e propozuara nga IKSHP, të cilat i ka ndërmarrë Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë.
Të gjithë ata që janë prekur nga COVID-19 nuk janë vetëm në këtë situatë. Stafi shëndetësor dhe institucionet e tjera janë në mbështetje të tyre.
Bizneset dhe punëtorët që janë prekur nga kjo situatë nuk janë vetëm. Shteti i Kosovës do tu ndihmojë në tejkalimin e situatës, siç ka bërë duke ndihmuar bizneset, punëtorët, bujqit, gratë në biznes, komunitetet jo shumicë, familjet në asistentë sociale dhe të tjerët përmes fondit për rimëkëmbje ekonomike prej 365 milionë euro.
Do të vazhdojmë edhe në vitin e ardhshëm me fondin për rimëkëmbje, i cili është paraparë fillimisht në shumë prej 182 milionë euro, por që do të rritet me burime të tjera të jashtme.