Përgjimet – me mosdëgjueshmëri qytetare, duhet ta ndalim pushtetin kuisling të Kurtit ,që qeverisë në koordinim me Beogradin –Shkruan;Hisen BERISHA deputet.
Pas publikimeve të reja të bisedës telefonike mes kryetares së Grupit Parlamentar të LVV-së dhe Radoiçiqit, mendoj se një situatë e tillë kërkon një reagim të shpejtë dhe të vendosur brenda parlamentit, deri në mosdëgjueshmëri qytetare. Një hetim korrekt dhe i thellë është i nevojshëm për të siguruar që çdo vendim i marrë të jetë i bazuar në fakte dhe jo thjesht në perceptime, si dhe për të hetuar deri ku shkon dëmi politik i shkaktuar ndaj vendit dhe qytetarëve, me theks në dialog dhe marrëveshjet antikushtetuese e dokumentet që janë prodhuar në proces, e që përbëjnë detyrime kontraktuale ndërkombëtare për Kosovën. Është dëshmuar tashmë, me zë e pamje, se Mimoza Kusari Lila është koordinuar me Radoiçiqin, dhe duke marrë parasysh përfitimet e tij edhe pas shpalljes në listën e zezë të SHBA-së dhe pas sulmit në Banjë, atëherë nuk ka asnjë dyshim se veprimet e saj përbëjnë një shkelje serioze të etikës dhe integritetit institucional. Është dëshmuar po ashtu akuza se ajo është koordinuar me Radoiçiqin për të eliminuar veteranët nga Ligji për Pagën Minimale, dhe kjo përbënte një shkelje të rëndë të besimit publik, me theks në moralin dhe nderin e luftëtarëve. Kjo përbën arsye të mjaftueshme për të kërkuar masa ligjore me vendim gjyqësor për mosqenie pjesë e institucioneve dhe funksioneve publike, e përcjellë edhe me largimin e saj nga Kuvendi. Kjo duhet të largohet nga pozitat publike për të shmangur çdo kompromis të mëtejshëm në dëm të integritetit politik shtetëror. Veprimi me masa ligjore e parlamentare justifikohet për faktin se përfaqësuesit e popullit duhet të veprojnë gjithnjë në interes të qytetarëve dhe jo në marrëveshje të fshehta që minojnë interesat e grupeve të caktuara, siç është në këtë rast kategoria më sublime, veteranët. Transparenca dhe përgjegjësia politike janë thelbësore për të ruajtur besimin e publikut në institucionet e qeverisjes. Këto publikime janë komprometim i interesave shtetërore, prandaj masat për të mbrojtur integritetin e institucioneve dhe për të ruajtur besueshmërinë e qeverisjes janë të domosdoshme. Nëse opozita ose grupet e tjera parlamentare nuk ndihen të përfaqësuara dhe të përfaqësuara ndershmërisht, çdo veprim politik ligjor do të ishte një formë legjitime presioni për të siguruar integritetin e institucioneve. Po kështu, janë të arsyetuara edhe veprimet e shoqërisë civile, duke i ngritur masat popullore që ndihen të fyer nga këto veprime kolaboracioniste, që të ngrihen në padëgjueshmëri civile. Ngase veprimet e pozitës përbëjnë një shkelje serioze të etikës dhe integritetit institucional. Ndërmarrja e këtyre veprimeve ligjore e kushtetuese dhe ndërgjegjësimi qytetar për veprim janë domosdoshmëri, për të mbrojtur besimin e vetë qytetarëve ndaj përfaqësuesve të tyre dhe për të treguar se askush nuk është mbi ligjin./www.QendraPress.com/