PËRPLASJE NË KQZ – DAKA DETYROHET TA MBYLLË MBLEDHJEN

0

Një përplasje ka ndodhur sot në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për çka më pas kryetarja e këtij institucioni e ka shpallur mbledhjen e mbyllur.

Kërkesa e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, drejtuar Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike rreth mundësisë mbajtjeve të zgjedhjeve në Podujevë dhe veri të Mitrovicës, ka shkaktuar këtë përplasje.

Në mbledhjen e sotme u bë i ditur edhe dekreti i Presidentit për shpalljen e zgjedhjeve në këto dy komuna më 29 nëntor, komuna këto në të cilat për shkak të situatës me pandeminë, zgjedhjet ishin shtyrë për një afat të pacaktuar.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se kërkesat drejtuar institucioneve të tjera mund të shkojnë vetëm me vendim të KQZ-së në të kundërtën kërkesat personale nuk protokollohen, siç edhe ka ndodhur ditë më parë me kërkesën e Sami Kurteshit dhe Alim Ramës.

Të dy, i janë drejtuar IKShP-së me kërkesë që të analizojë situatën me pandemi dhe të rekomandojë mbajtjen ose jo të zgjedhjeve, por nuk kanë marrë përgjigje.

Lidhur me këtë çështje, Arianit Elshani nga Partia Demokratike e Kosovës, akuzoi anëtarët e Vetëvendosjes së kanë bërë presion ndaj Sekretariatit të KQZ-së. “Unë personalisht jam njoftuar, por edhe anëtarët e tjerë lidhur me presionin që është bërë nga dy anëtarët e KQZ-së, në këtë rast nga Lëvizja Vetëvendosje, ndaj kryetare kërkoj edhe nga ju që të dilni në mbështetje të respektimit të udhëzimit administrative lidhur me komunikimin e brendshëm dhe të vendoset një standard dhe të respektohet një standard o komunikimit brenda gjithë anëtarëve të KQZ-së bashkë me sekretariatin. Të bëhet një qartësim se kush e çka ka bërë presion”, tha ai, raporton KP

Pas kësaj, Daka kërkoi që të ruhet distanca në mes të anëtarëve të KQZ-së dhe Sekretariatit.

“Kish me qenë mirë që të gjithë anëtarët, pa dallim, të ruajnë distancën me sekretariatin dhe mos ta keqpërdorin pozitën si anëtar të KQZ-së si anëtarë që janë të ftohen në takime anëtarët e sekretariatit dhe në çfarëdo mënyre të shqetësohen dhe të u bëhen, nuk po them kërcënime, por biseda. Nuk kisha dashtë me vazhdue me këtë çështje”, tha ajo.

Kjo shkaktoi përplasje fjalësh në mbledhje ndërkohë Sami Kurteshi i Lëvizjes Vetëvendosje tha se po bëhen akuza kriminale.

“Kjo është akuzë kriminale e KQZ-së. Kush ka shku prej anëtarëve të KQZ-së nëpër zyre. Keni me tregu a ka shku Sami Kurteshi në ndonjë zyre me diskutu për çfarëdo çështje”, tha Kurteshi.

Kjo përplasje ka bërë që shefja e KQZ-së të mbyllë mbledhjen para se të shqyrtohen të gjitha pikat që ishin paraparë në rendin e ditës.

Paraprakisht, në mbledhjen e sotme kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka bëri të ditur se presidenti ka dorëzuar dekretin për mbajtje ne zgjedhjeve në Podujevë dhe veri të Mitrovicës për datën 29 nëntor.

Për këtë, Sami Kurteshi i Lëvizjes Vetëvendosje kritikoi presidentin, meqë siç tha ai është dashur të konsultojë partitë politike. “Kemi ardhur në një gjendje kur është shpallë dekreti, edhe pse dekreti është shpallë pa konsultim me partitë politike, sipas ligjit për zgjedhjet lokale, edhe ato të përgjithshme, neni 4 paragrafi 1, presidenti duhet të konsultohet me partitë politike e jo me KQZ-në. Kjo është bërë si gjithmonë që bëhet, shpallje në mënyrë jo transparentë, kundërligjshme”, tha ai. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *