Petrit Kryeziu caktohet ushtrues detyre i kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit.
Këshilli Prokurorial i Kosovës , sot në takimin e 252-të, ka miratuar dorëheqjen e Admir Shalës nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit.
Pas miratimit të dorëheqjes nga pozita e kryeprokurorit, Shala është kthyer në pozitën e prokurorit në Prokurorin Speciale të Kosovës,
Ndërkaq, për pozitën e kryeprokurorit të Prizrenit, KPK ka caktuar për ushtrues detyre prokurorin, Petrit Kryeziun.
Kryeziu u caktua në këtë pozitë me propozim të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, i cili tha se për bazë ka marrë performancen e lartë që ai ka treguar si prokuror deri me tash.
Ndryshe, kryeprokurori i deritanishëm i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala pesë muaj para përfundimit të mandatit, kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë për shkaqe personale e shëndetësore, por përkundër kësaj, ai ka kërkuar të vazhdojë të shërbejë si prokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.