Pjesë të ditarit nga veterani i UÇK-së: Bashkim N,Hoxha
———————————————————-
Trajninet teorike, mësimi i përdorimit dhe mirëmbajtja e armës sigurisht kishin rëndësi të veçantë. Veprimtarë të caktuar, veteran të çështjes kombëtare kanë shitur paluajtshmëri për të siguruar diçka nga mjetet që nevojiteshin. Disa nga vendstrehimoret e ilegaleve kanë shërbyer edhe si pika stacionimi për një sasi të teknikës.
Nga ato shtëpi në këtë rast do të veçoja atë të Idriz Qeriqit dhe e Zaim Pulajt në lagjen Bajram Curri në Prizren. Sigurisht nuk ka qenë e lehtë në ato rrethana dhune e represioni dhe aparteidi të Serbise që ushtronte në Kosovë, të merrje të tilla veprime ku rrezikoheshe të përballeshe me arrestimet, torturat, dënimet dhe maltretimet e familjeve . E kemi pasur një pushtues antinjerëzor që nuk pyeste për respektim të asnjë rregulli a konvente ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut. Duhej patur kujdes të shtuar me cilët mund të bashkëpunohej si person dhe me cilët si familje. Sipas mendimit tim kjo pjesë ka rëndësi të veçantë të thuhet edhe nga të tjerët. Në të shumtën e rasteve, jo të gjithë aktivistët e asaj kohe e kanë pasur mbështetjen dhe ndihmën edhe të familjarëve të tyre. Sigurisht rrethanat kanë imponuar situata frike dhe kujdesi të shtuar. Represioni sistematik i Serbisë ndaj shqiptarëve e pati mbjellur ndjenjën e frikës dhe pasigurisë, Personalisht nuk i vë faj askujt, faji ka qenë i pushtuesit serb, natyrisht.
Idriz Qeriqi me origjinë nga Krojmiri (Krahmirofci) i Drenicës dhe Zaim Pulaj me origjinë nga Vërmica e Prizrenit, kanë qenë kryefamiljarë në shtëpitë dhe familjet e të cilëve, është është ndier i sigurtë secili apo secila që është strehuar atje. Asnje fjalë nuk ka dalë e s’është dëgjuar jashtë mureve të oborreve të shtëpive të tyre në lidhje me atë çfarë kanë parë dhe kanë dëgjuar, pa qoftë dhe nga fëmijët e vegjël. E kam parasysh, është e vështirë të kuptohen ato realitete nga këndëvështrimi i tanishëm. Njerëzit që janë gjallë, që dikur janë ndjekur, janë strehuar dhe janë mbrojtur në të tilla familje, duhet t’i kujtojnë ato kohë në formë tregimesh, pavarësisht rrethanave të tanishme ku shumë njerëz për çështje të pakuptueshme nihilizmi dhe mosbesimi nuk shprehin interesim për të mësuar pjesë të veçanta nga ato histori. Familjeve të caktuara për mendimin tim duhet t’u jemi mirënjohës dhe jo vetëm nga një pjesë e jona që kemi pasur bashkëpunim me ato. Sigurisht vaprimtare që kanë vepruar si tërësi si familje nuk janë vetëm dy familjet e nderuara të veprimtarëve veteran Idriz Qeriqi dhe Zaim Pulaj. I përmenda në kontekst të kohës si pikë reference e rifreskimit të këtij ditari në këtë rast.
Në shtëpitë e Idriz Qeriqit dhe Zaim Pulës janë mbajtur mësime teorike dhe praktike zbërthim-mbërthim , marrje në shenj etj), përdorimin e disa lloj armëve të këmbësorisë, granatave mësymëse – defenzive etj.
Sigurisht shtëpi baza dhe familje ku janë strehuar për t’i shpëtuar arrestimeve shumë të përndjekur politik gjatë viteve 80-90’ta, si dhe vendtacionime armësh në atë kohë ka pasur më shumë, e që nuk mund t’i le pa i përmendur disa pa hyrë në detaje.
Familja e Alush Shalës – Prizren, Shaqir Gashit-Prizren, Sefedin Morinës-Prizren, Kamer Çunit-Prizren, Muhamet Çoçës-Prizren, Nazim Hoxhës (Petrovë)-Prizren, Hakik Vukshinajt – Prizren, Familja e Hajdin Saramatit në Dobbrusht-Prizren, Sinan Morinës-Prizren, Lulëzim Bytyqit-Prizren, familja Vataj në Sallagrazhdë- Suhahekë, Skënder Berishës (Dushanovë) – Prizren, Imet Xhahajt (Petrovë) Prizren, Yzer Elez Badallajt (Petrovë) – Prizren etj.
Natyrisht unë nuk po pretendoj t’i them të gjitha dhe as që mendoj se i njoh të gjitha. Ka pasur veprimtarë shumë herë më shumë se kaq në numër sa përmenda në këtë rast, të cilit janë vënë komplet me gjithë familjet e tyre në shërbim të çështjes kombëtare, disa prej tyre sot janë dëshmorë të kombit. S’ka se si kalohet pa u përmendur fjala vjen Xhemshit Krasniqi me familje ose heroi Xhevat Berisha, Naser Berisha, Selim Krasniqi, heroi Remzi Ademaj, Bedri Hoxhaj, Murat Ajazaj, familja e Sallah Badallit … e shumë e shumë të tjere veprimtarë që janë angazhuar për përgatitjen e luftës së armatosur për liri, të cilit përveç vetes së tyre i kanë vënë në dispozicion të çështjes shtëpitë duke i angazhuar madje dhe familjarët e tyre.Marrë nga fb i autorit,përcjellë/www.qendrapress.com/