Plani 8-pikësh i Kurtit për zbutjen e gjendjes në veri, ende pa ndonjë reagim nga BE-ja
Vetëm dy ditë pasi Komisioni Evropian i prezantoi Parlamentit Evropian masat ndëshkuese për Kosovën, kryeministri Albin Kurti paraqiti në Prishtinë një plan 8-pikësh për “shtensionimin e situatës në veri të vendit”. Kurti tha se “Kosova është e gatshme të hedhë hapa drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës”, duke theksuar nevojën për ndërmarrje të veprimeve urgjente drejt këtij qëllimi. Ai tha se “jemi të etur dhe të gatshëm të angazhohemi për hapa konkretë që mbështesin qëllimet e de-eskalimit dhe stabilitetit në rajon”.
“Hapat që ne i konsiderojmë të nevojshëm dhe jemi të gatshëm të angazhohemi janë si në vijim: reduktimi i pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre, gradualisht dhe proporcionalisht me reduktimin e dhunës; qasja e plotë në proceset gjyqësore të kryesve të dhunës dhe monitorimi i proceseve nga ana e EULEX-it dhe OJQ-ve të interesuara të të drejtave të njeriut; zgjedhje të parakohshme në katër komunat veriore nga një peticion për tërheqje i përkrahur nga të paktën 20 për qind të elektoratit”, tha kryeministri Kurti. Sipas planit të tij, pas konfirmimit që janë përmbushur kërkesat për tërheqje të kryetarëve aktualë, data e zgjedhjeve do të shpallet nga presidentja, ndërkaq, katër kryetarët e komunave veriore do të udhëzohen që t’ua dorëzojnë autoritetin e tyre kryetarëve të rinj pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendor i Zgjedhjeve.
Garanci të plota për gjykim të drejtë https://gjc.gjirafa.com/Home/Index?type=3&gjid=91043563&v=2.1&guid=e55b8ae2228449f88a488e77c99a062ad367fef593bb4b20929d9ea3b298d237
Kryeministri kosovar kërkoi në këmbim angazhimin e drejtpërdrejtë të Serbisë për tërheqjen e protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe rrethinat e tyre dhe zotimin për bashkëpunim në paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesueve të dhunës. Ky proces sipas Kurtit duhet të kryhet me monitorim nga ana e EULEX-it dhe garanci të plota për gjykim të drejtë.
“Reduktimi i gatishmërisë së forcave të armatosura të Serbisë në nivel të ulët, asnjë lëvizje e re të trupave, heqja e 48 bazave operative që ndodhen përgjatë kufirit. Serbia të mos pengojë apo ndërhyjë në të drejtën e qytetarëve të përkatësisë serbe të Kosovës dhe të gjitha partive politike për të marrë pjesë lirshëm, pa asnjë frikësim, detyrim apo ndikim korruptiv, në procesin e zgjedhjeve lokale të Kosovës”, tha kryeministri Kurti.
Prishtina shpall terroriste dy organizata serbe
Deri tani nuk ka pasur ndonjë reagim të BE-së për planin tetë pikësh të Kurtit. Vetëm disa orë para se Kurti ta paraqes planin e tij tetë pikësh për shtensionim të situatës në veri, qeveria e drejtuar nga Kurti shpalli terroriste dy organizata serbe që veprojnë në veri të Kosovës, “Mbrojtjen Civile”, dhe “Brigadën e Veriut”. Këto dy organizata sipas institucioneve të sigurisë, zhvillojnë veprimtari kërcënuese për rendin kushtetues të Kosovës, në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.
Ky vendim i qeverisë së Kosovës u mor në kohën kur në veri vazhdojnë të jenë tensionet e larta. Në këtë kuadër po vazhdojnë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të shtensionuar situatën në veri dhe për të përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.