Plazh në shtator, shqiptarët e Kosovës shtyjnë sezonin përtej gushtit
Shqiptarët e Kosovës shpëtuan sezonin turistik mes pandemisë së koronavirusit, ndërsa kushtet atmosferike po lejojnë që plazhi të vijojë edhe në vjeshtë.
Disa e kanë zgjedhur këtë kohë për të pushuar për çmimet më të lira dhe mundësinë e distancimit social që detyron periudha e pandemisë së koronavirusit.
Jemi në javën e parë të vjeshtës, por kushtet atmosferike dhe temperaturat e larta po lejojnë që sezoni turistik të vijojë.
Shqiptarët e Kosovës që mbajtën gjallë turizmin mbizotëruan edhe këtë fundjavë në të gjitha plazhet nga jugu në veri.
Në Vlorë nuk mungojnë as pushuesit e huaj, kryesisht ballkanas e lindorë.
“Vij nga Maqedonia e Veriut dhe kam ardhur për herë të parë në Shqipëri.”
“Vij për herë të parë dhe këto pushime dolën një surprizë për mua.”
Për operatorët turistikë ky sezon nuk krahasohet me ato të viteve të shkuara, por për një pjesë shtatori ka sjellë optimizëm.
“Situatë është shumë e mirë, jemi të rezervuar. Vjet kemi mbyllur sezonin në një 1 nëntor. Kushte janë të mira.”
I lartë mbetet numri i turistëve të vjeshtës edhe në Shëngjin, por atje pushuesit ankohen për abuzime me çmimet.
“Ka çmime shumë të larta. Gjithë gjërat janë mirë, përveç çmimeve.”
Pushuesit e fundjavës u rikthyen edhe në jugun e thellë, ndërsa plazhi në qytetin e Sarandës ishte nën zotërimin e të moshuarve.