“Po e kam rrah”, e dyshuara e pranon edhe para gjykatës vrasjen e 67-vjeçares
Gjykata Themelore në Prizren, të enjten, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të dyshuarës N.A, e cila po dyshohet se vrau kunatën e saj S.D (67-vjeçare).Gjykatësit Xheladin Osmani, tha masa e paraburgimit ndaj të njëjtës caktohet në afatin kohor prej 30 ditësh, dhe atë prej 27 dhjetorit 2022 deri më 27 janar 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.Në seancën dëgjimore, prokurori Metush Biraj pas leximit të dispozitivit të aktvendimit për fillim të hetimit dhe kërkesës për caktim të masës së paraburgimit për të dyshuarën N.A, tha se e njëjta ka përdorur dhunë fizike ku si pasojë viktima ka vdekur.“E pandehura NA, në fsh.Kuk-Komuna e Dragashit, me një dru të ahut në gjatësi prej 25 cm dhe trashësi 4×2.5 cm, me një pjesë të laminatit, me ngjyrë të bardhë, me gjatësi prej 87 cm dhe trashësi 4×1.2 cm dhe një copë dërrase të llamperisë në gjatësi prej 78 cm dhe trashësi prej 1.2×10 cm, e godet disa herë viktimën në të gjitha pjesët e trupit dhe së fundit në pjesën e majtë të fytyrës duke i shkaktuar gjakderdhje në tru dhe si pasojë e këtij lëndimi me datë 26.12.2022, rreth orës 05:30 minuta vdes viktima S.D”, ka thënë prokurori Biraj.Biraj e kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës, me arsyetimin se e njëjta mund të ndikojnë zhvillimin e hetimeve si dhe tek dëshmitarët për zhvillimin e mëtutjeshëm të rastit.Ndërsa, mbrojtësi i të dyshuarës, Besim Morina, avokat i caktuar sipas detyrës zyrtare, ka thënë se e kundërshton kërkesën e prokurorisë për caktim të masës së paraburgimit, duke thënë se e dyshuara edhe më parë edhe tani edhe me shëndet por edhe emocionalisht nuk është në gjendje stabile.Po ashtu, ai tha se e njëjta para organeve policore e ka pranuar fajin dhe vërtet ndjehet thellë e penduar ngase nuk ka vepruar për t’i shkaktuar ndonjë dëm më rëndë, për t’i shkaktuar vdekjen e të ndjerës.Ndryshe, e pandehura N.A gjatë seancës së paraburgimit e pranoi se e ka rrahur për vdekje viktimën.“Po e kam rreh vallahin, e kam rreh, mas 3-4 dite ka vdek. Po i dhashë ndihmë sa munda, po qaq munda, motër të burrit e kam pas, që 26 vjet u kanë në shpi teme, e kam ruajt, jam kujdesë”, tha e dyshuara.Ndryshe, e dyshuara N.A është arrestuar të martën dhe në prani të mbrojtësit të saj e ka pranuar se ka kryer vrasjen e tani të ndjerës S.D.Ndryshe, S.D u gjet pa shenja jete të hënën në fshatin Kuk të Dragashit, ndërsa rasti fillimisht ishte hapur si vdekje e dyshimtë. /BetimipërDrejtësi