Po s’u respektua vendimi i Kushtetueses, Osmani do të paditet
Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar padi ndaj presidentes së vendit, Vjosa Osmani, në rast se e njëjta nuk respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për refuzimin e kërkesës së saj sa i përket zgjedhjes së anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, bazuar në grupet më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend.
Madje, ky subjekt politik ka kërkuar nga Shefja e Shtetit që të mos bëhet notere e kryeministrit Albin Kurti, pasi që sipas tyre, veprimi i saj ishte në interes të Lëvizjes Vetëvendosje.
Sekretari i kësaj partie, Betim Gjoshi, në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, ka thënë se presin që në një afat të shkurtër kohor – duke filluar nga dita e hënë – Presidentja të emërojë anëtarin e tyre të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe atë të partisë VAKAT.
“Në çdo rast nëse ajo nuk e respekton këtë vendim dhe nuk i jep të drejtën e vetë kushtetuese PDK-së dhe VAKAT-it, ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese edhe personave të cilëve iu kanë shkelur të drejtat dhe kolegët e tyre janë emëruar vetëm për qëllime politike, kanë paralajmëruar që do të bëjnë padi penale ndaj presidentes për shkeljen e të drejtës së tyre”, ka thënë ai.
“Presidentja nuk është notere e Albin Kurtit por është presidente e vendit dhe duhet të veprojë në bazë të Kushtetutës dhe të emërojë sa më shpejtë anëtarët e PDK-së dhe VAKAT-it në KQZ”, shtoi Gjoshi.
Edhe pse partia më e madhe opozitare në vend kërkon që i përzgjedhuri i tyre të emërohet anëtar në KQZ, presidenca është në pritje të aktvendimit.
Burime të redaksisë brenda Zyrës së Presidentes thonë se nuk mjafton vetëm shpallja e vendimit të Gjykatës. “Pa ardhur aktvendimi te palët, nuk mund të ketë asnjë veprim”.
Ky aktvendim në Presidencë pritet të shkojë brenda javës së ardhshme.
Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së bazuar në grupet më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend.
Osmani kishte kërkuar intepretim nga Kushtetuesja në lidhje me emërimin e dy anëtarëve të këtij komisioni, tetë prej të cilëve vetëm se i kishte emëruar.
Në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese, thuhet se “kërkesa e presidentes nuk e ka plotësuar njërin kriter pasi kompetenca e Presidentes për emërimin e anëtarëve të KQZ-së nuk është e përcaktuar me Kushtetutë, por vetëm me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës”.
Paqartësi kishte te emërimi i dy anëtarëve prej dhjetë sosh sa duhet.
“Rrjedhimisht, në vlerësimin e Gjykatës, në rrethanat e rastit konkret, Presidentja e Republikës nuk ka ngritur para Gjykatës konflikt të “kompetencave kushtetuese”, sipas përcaktimeve të nenit 113.3.(1) të Kushtetutës, dhe për pasojë, Gjykata shpalli kërkesën e Presidentes së Republikës së Kosovës të papranueshme bazuar në nenin 113 të Kushtetutës dhe refuzoi kërkesën për caktim të masës së përkohshme bazuar në nenin 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese”.“Presidentja e Kosovës, më 12 maj 2021, ka emëruar tetë (8) anëtarë të KQZ-së. Dy (2) anëtarët e tjerë nuk janë emëruar nga Presidentja sepse LVV ka propozuar tre (3) kandidatë për anëtarë të KQZ-së, ndërsa PDK ka propozuar dy (2) kandidatë për anëtarë të KQZ-së, dhe duke pretenduar “paqartësi” në kontekst të paragrafit 4 të nenit 139 të Kushtetutës që përcakton se “nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë”, presidentja i është drejtuar Gjykatës me kërkesën për interpretim të “grupit më të madh parlamentar” në kontekst të dispozitës së lartcekur, përkatësisht nëse vendet e lira në KQZ i takojnë vetëm grupit apo grupeve më të mëdha parlamentare; dhe (ii) komuniteti boshnjak, në strukturën aktuale të Kuvendit, është i përfaqësuar përmes tri (3) subjekteve të ndryshme politike me numër të barabartë të ulëseve në Kuvend, ndërsa në Presidencë janë dorëzuar tri (3) propozime nga ky komunitet, ndonëse të njëjtit i takon vetëm një (1) vend në KQZ”, thuhet tutje në njoftim. /Insajderi.com