Poezi kushtuar Pavarësisë së Kosovës nga poetja; Keze Kozeta ZYLO
Tungjatjeta Kosove!
———————————-
Tungjatjeta Kosove!
Tungjatjeta Princesha ime,
Sot po udhëtoj kudo,
Me medaljonin e Lirisë në gjoks,
Medaljon që s’do ndryshket kurrë!
Në kujtesën e dhimbjes shkumëzon shpirti,
Për rrëmbimin e të artit medaljon,
Nga zotat e heshtur të Olimpit…!
Lamtumirë ju Zota të heshtur, lamtumirë!
Lamtumirë ju që ma gërryet kockën,
Me molën e hipokrizisë!
Princesha ime Kosovë,
Më lejo të vë buzët, në bisqet e Lirisë,
E me ju të bashkohem ne simfoninë e këngëve,
Të miliona shqiptarëve, që këndojnë shqip,
Aty, në tokën e lirë!
Sythet e Lirisë kanë buisur,
Janë harbuar sot, në degët e Shkurtit,
Shkurt dimri, kthyer në stinë pranvere!
Mëngjesin e burgosur zgjoi,
Duke hapur kufirin e shpirtit,
Me vezullim rrezesh nga bjeshkë Kosove!
Më fal Kosovë që s’të vij dot atje, më fal,
Por, edhe pse larg teje sot,
Unë po e shijoj këtu lotin e gezimit,
Te ngrirë kallkan, acareve,
Tashme të shkrirë nga Ju, por edhe nga kjo tokë,
Ku u vesit gonxhja e Lirisë, dikur si manushaqe kokëulur!
Nuk do dëgjoj më krokatje korbash,
Ato kanë kohë që u shkrumbuan në harkun vetëtimë të Lirisë!
Në trungun e tokës tënde, dhimbjet lëshonin rrënjë,
Sot ato u groposën në dheun e Prizrenit, Prishtinës…
E në gjithë tokën e Dardanisë!
Unë kam kohë që jam larg teje, kam kohë…
Por dhe pse larg, vetëm tek ty përkundem me ninulla,
Në të vetmin djep me shqiponjë gdhendur,
Me emrin Kosovë, me emrin Shqipëri!
Eja, Liri Kosove, eja dhe tek unë,
Më kap prej dore, se sonte dua të hedh vallen e Rugovës,
Me xhamadanë sokolash e me plisin e bardhë në kokë,
Të trand botën e cmendur, që shekuj me radhë,
Ta përtypën Lirinë!
New York, 17 Shkurt, 2008
– /www.QendraPress.com/