POEZI PËR DHEMBJEN DHE KRENARINË KOMBËTARE Nga Dr. Nexhat Çoçaj – profesor në UBT
Atdhedashuria si muzë e përjetësisë, grishja, apo kushtrimi për realizimin e amanetit të të parëve për bashkimin kombëtar, përmes vargjeve të heroit poet na vjen si marsh revolucionar kundër heshtjes ndaj situatës në prag të luftës. Libri me poezi “Pishtari i lirisë” i Xhevat Berishës botuar për herë të parë nga klubi letrar “Fan S. Noli”, më 1999 dhe tash në ribotim nga Shtëpia Botuese “Fidani”, vjen për brezat si mesazh për realitetin e përditshëm. Andaj, thirrjet e autorit – Heroi i Kosovës, natyrshëm jehojnë për të zgjuar emocione, kujtesën e vetëdijen shpirtërore gati të topitur nga sfidat e jetës. Ndonëse kanë kaluar 22 vite nga rënia e autorit në altarin e lirisë, poezitë e tij e ruajnë aktualitetin dhe gjatë rileximit. Natyrshëm fitohet përshtypja se Xhevat Berisha, këtë kaos politik dhe këtë paqartësi e ka parandier përmes poezive të tij.
Meqë libri nuk është ndarë në cikle, nuk do të flasim për strukturën e veprës, pos të potencoj se simbolika e numrit 60, aq sa poezi janë përfshirë në këtë përmbledhje, lidhet me mendimet e filozofëve botërorë, që thonë se “numri 60 është mënyrë e veçantë për t’iu kujtuar njerëzve se duhet të vihen vlerat morale dhe shpirtërore përpara atyre materiale.” Në këtë kontekst nëse i shikojmë poezitë si numër simbolik, atëherë përqendro- hemi tek mesazhet e autorit. E tillë është edhe poezia e Xhevat Berishës, që para 22 viteve i ka grishur shumëkënd, që ta shohin vetveten karshi çështjes kombëtare.
Kështu, në disa poezi poeti na del si orakull i situatave sfiduese, mbase për faktin se poeti i ka paramenduar sfidat, nëpër të cilat do të kalojë Kosova, madje edhe pas çlirimit nga okupatori. Kështu në poezinë “Synimi” autori e parasheh si ëndërr të largët bashkimin e trojeve, apo Nëntorin e Tretë. Sipas autorit ende Kosova do të kalojë nëpër një gjendje shpirtërore të jashtëzakonshme, me vetëdije të humbur, e të shkëputur nga bota që na rrethon dhe bën veprime të çuditshme për shkak se vuajmë nga sëmundja e bajrak- tarizmit. Ja si shprehet autori:
“Ekstazë pafund
Ëndërr e largët
Bashkim trojesh
Nëntori i Tretë
Synim i Feniksëve të rinj.”
Të kësaj natyre janë edhe disa poezi tjera, ku autori me kohë i ka paraparë ato gjëra me të cilat po ballafaqohemi sot në Kosovën e pasluftës. Në poezinë “Çoroditje” autori me saktësi parasheh të largët fundin e marrëzive dhe i quan çoroditje në katror vendimet e OKB-së dhe rezolutat e saja. Gjithashtu, me këtë ton qortues e dëshpërues flet edhe në poezinë “Politikë”, ku ai me të drejtë, 22 vite më parë, e ka paraparë Kosovën shtet pa pushtet, duke u shprehur:
“Çakalli flet
Korbi krrokat
Populli ëndërron
Pushka vajton
Lisat bien
Shtet pa pushtet.”
Jo më kot kanë thënë se ata që vdesin për liri nuk vdesin kurrë, sepse ata kanë lindur për ta mbrojtur tokën e të parëve dhe për t’u sjellë mesazhe njerëzve që nuk janë në gjendje ta peshojnë kohën me peshën e ngjarjeve. Vlen për t’u theksuar se në dorëshkrim autori ka lënë edhe shumë poezi të tjera, që e meritojnë ta shohin dritën e botimit, jo vetëm për vlera artistike dhe për mënyrën e veçantë të perceptimit të botës shqiptare, por edhe për mesazhet dhe kushtrimin që reflektojnë ato karshi situatave.
Xhevat Berisha, tash Hero i Kosovës, si poet shihet se ka shkruar që nga koha kur ka qenë student, pastaj gjatë kohës sa ka punuar mësues dhe aktivist në pajtimin e gjaqeve. Nuk janë të pakta poezitë në këtë përmbledhje që flasin për rrugën e vetëdijesimit të popullit shqiptar të Kosovës nga koha e pajtimit të gjaqeve e deri në fillimin e luftës së armatosur të UÇK-së. Për kohën e pajtimit të gjaqeve, i kushton një poezi pajtimtarit Anton Çettës dhe studentëve, pjesës motorike të lëvizjes kombëtare. Por, nuk mungon edhe përkushtimi i autorit për mërgimtarët, të cilët i sheh në ballë të luftës për çlirimin e atdheut dhe u drejtohet në formë të thirrjes:
“Gjaku i Arbrit thërret
Guri peshon më rëndë
Në Tokën e vet.”
Poeti hero, pasi i gëzohet fillimit të luftës së UÇK-së, të cilën në mënyrë metaforike e quan dasmë, ashtu siç e quante edhe mësuesi i tij i shtigjeve të lirisë, Remzi Ademaj. Poeti Xhevat Berisha në poezinë “Krushqit dasmorë” shprehet:
“Do fillojë dasma…
Krushqit duan prijës
Faqebardhë e krenarë
Syshkëndijë e plisbardhë…”
Kjo dasmë sipas autorit ka nisë me të vetmin qëllim, që të rrëzohet muri i ndarjes dhe kjo dëshirë do të bëhet realitet, ashtu siç e parandien autori në poezinë “Një ditë”:
“Një ditë
Shqipja e lirë do t’fluturojë
Një ditë
Fëmijët do të luajnë pa brenga…”
Në mesin e shumë poezive të Xhevat Berishës, të cilat jo vetëm se janë karakteristike për motivin që kanë, por edhe për gjetjen e shprehjeve në momentin e duhur, mund të veçohen edhe poezitë: “Unë”, “Kohë pa kohë”, “Buletini i kohërave”, “Kushtrimi”, “Kalorësit e lirisë” e shumë të tjera, që secila në mënyrën e vet e shpalosin shpirtin liridashës të autorit.
Për të parë më mirë botën e brendshme poetike të heroit – poet, do të shihet te vargjet e poezisë “Unë”, ku në veten e parë autori flet për veten, për aktivitetin e tij si mësues dhe edukues të brezave të rinj për luftë. Por, gjithsesi të realizuara artistikisht dhe të pasura me figura stilistike janë edhe poezitë tjera.
Në këtë përmbledhje nuk mungojnë edhe poezitë qortuese, përmes të cilave u drejtohet njerëzve të pacipë, atyre që nuk e lënë vendin të frymojë lirshëm dhe të shkojë Kosova rrugës së realizimit të ëndrrave shekullore. Kështu, përmes këtyre poezive, që fare lehtë mund të ishin grupuar në një cikël të veçantë, siç janë poezitë: “Kolltukxhinjtë”, “Biz- nesmenët”, “Shpirtshituri”, “Dhelpra”, “Qy-
qari” e disa të tjera, i kritikon dhe u tregon se janë në rrugën e gabuar. U thotë se ata e kanë trurin e dirigjuar dhe se në fjalorin e tyre fjalët komb, liri nuk ekzistojnë, pasi ata e njohin vetëm paranë, vetëm dredhinë dhe tradhtinë.
Gjatë leximit të përkushtuar të poezive të Xhevat Berishës, lehtësisht mund të shohim brenda këtyre vargjeve se është e “pikturuar” në vargje gjeografia e dhembjes kombëtare. Lënda letrare tematike e poezive të poetit hero, nuk janë ndarë në cikle siç veprohet rëndom, që nga përgatitësit për shtyp i kanë përzgjedhur 60 poezi nga dorëshkrimet e shumta të Xhevat Berishës.
Për fund mund të them se gjuha e poetit, që përdoret në këto poezi, është gjuha me të cilën autori ka komunikuar me njerëzit në përditshmëri. Ashtu siç u bënte thirrje të rinjve për t’u bashkuar në luftë kundër armikut, ashtu siç u bënte thirrje njerëzve që kishin humbur hapin dhe adresën kombëtare, ashtu e shohim edhe në vargun e tij poetik. Ashtu siç ka qenë madhështor akti i flijimit të tij, ashtu është madhështor edhe vargu i poetit hero, që secili nga ne duhet lexuar e rilexuar sa herë që na bie ndër mend atdheu, sepse në këto vargje më së miri është e përshkruar dhembja dhe krenaria kombëtare.