Poezia e lexuar  në Edicionin e 49-të të Manifestimit kultarrs” TAKIMET E GJEÇOVIT”, Zym, 31 tetor 2020- ËNDRRA E NESËRME QË E DESHA SOT-

0

Sabit RRustemi

Luginave ku prehet në dysh

kurrizi i k’tij Mali t’Moçëm

shprushet Etna

nga vullkane të fjetuna trubullohet Kroi

Një Mjellmë e Bardhë e Ujërave të Kaltra

më përfton syve e m’trazon n’Rrajë t’Çepurit

Dallgë të furtunta zjarresh

përplasen mbi Trojën e Lashtë

e mbi mua

sa herë të kujtoj e nuk të kam

Fat a Kob ishte ai Çast që u njohëm

në një fund mali e një fund stine

skaj Jonit të përtërishëm

Nuk ish ai Yll i largët

me mijëra vite drite që më digjte

as ai zjarr i pashuar luftërash

që ende flakëron nëpër kohë

Shikimi yt prej Mona Lize ish

ndezës e flakërues si tash

që m’i zjarrmon ndjenjat deri në hi

Kot thyj udhën kah Syri i Kaltër

a gjarpëroj Jonit për dritë hëne

Vetëm ndizem e përndizem më shumë

asaj pyllnaje ngjyrë qumshti

hapësirës së mëndafshtë të qenies sate

Cila je ti

Helena a Sirena e Detjonit

që kërthizës sime u përbirove

gjete strehë

e dole në këtë kopsht Çepuri

Mjellmë e bardhë ujërash

erërash e valësh

dashuri e pashterur nëpër kohë

në qiell të ngritën prej epshesh

thellë shtresave të nëndheut të shtypën

barbarë të përdalë e bukëshkalë

Sa Troja u luajt e u përsërit në ty

s’ma thua dot

M’u katrithe sysh si ëndërr e përnatshme

pas mijëra e mijëra vitesh

zgavrave të thella të Priamit

erdhe deri tek unë

Në Teatrin e rilindur të Butrintit

si në profil

poshtë ujërave fytyrën Tënde shoh

e lëshohem tinëz pas Teje

Në vend të Perit të Ariadnës

vargnoj fjalën

liqenit që lanë trupin e ujtë në çdo gjashtë orë

të kërkoj

Dal në Maje të Lëkursit si te Çepurit

si n’pëllëmbë dore të shoh e nuk të prek

Më rrëshqite duarsh si ujtë e Jonit

e nuk të zë mësa ëndrrën

as kur shtrij rrjetën

Zgjohem para agut

dal te bregu

stinëve

moteve që s’janë

Ti mbetesh këtu

ëndërr e jetës së nesërme

që e desha sot

(18 – 19 dhjetor 2018)

____________

Marrë prej njërit nga librat e vlerësuar të këtij Edicioni, NËPËR ËNDRRA TË FJALËVE, botuar nga SHB “”Beqir Musliu”, Gjilan 2019

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *