Policia gjobit automjetet e parkuara në hapësira të gjelbëruara në Prizren

Policia e Kosovës, konkretisht patrulla e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor në Prizren (NJRTRR), gjatë një kontrolli të realizuar sot, më 21 maj 2025, ka ndërmarrë veprime konkrete për të adresuar shkeljet në zonën e gjelbëruar të rrugës “Rrustë Kabashi” në Prizren, përkatësisht në lagjen Dardania në afërsi të rrugës në drejtimin Prizren– Suharekë. Gjatë këtij kontrolli, janë identifikuar automjete të parkuara në mënyrë të kundërligjshme në hapësira të gjelbëruara, veprim ky që përbën shkelje të Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat në Trafikun Rrugor, konkretisht Neni 20, paragrafi 9, që ndalon dëmtimin apo ndotjen e ambientit përmes parkimit të mjeteve në vende të ndaluara. Si rezultat i këtij aksioni: – Janë shqiptuar 19 gjoba për kundërvajtje. – Janë konfiskuar 3 automjete. Policia e Kosovës do të vazhdojë me veprime të tilla për të siguruar respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e mjedisit. Ftojmë qytetarët që të respektojnë rregullat në trafikun rrugor dhe të kontribuojnë në ruajtjen e ambientit të pastër dhe të sigurt për të gjithë,njofton Policia.