Policia konfirmon vdekjen në spital privat në Prizren, djali u ankua pasi nëna i vdiq në operacion
Është raportuar për vdekjen e një 65-vjeçareje gjatë një operacionit që i ishte nënshtruar në spitalin privat në Prizren. Hetimet për këtë vdekje nisën pas dyshimeve të ngritura nga familjarët e viktimës. Rastin për Sinjalin se ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Zëdhënësi i rajonit të Prizrenit, Vesel Gashi tha për Sinjalin se Policia dhe Prokurori i Shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe me urdhër të këtij të fundit është iniciuar rasti si “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” “Me datën 23.06.2022 rreth orës 17:10 min, kemi pranu një informatë se nje person ka ndrrua jete në ordinancën private cila gjendet ne rrugën Gjeravica në Prizren, reagumi policor ishte i menjehershëm patrulla kan dalë ne vend ngjarjes ku kanë kontaktuar me palën ankuese ku i njejti deklaron se nena e tij ,gjatë operacionit ka ndrrue jet. Në lidhje me ketë rast fë gjitha njesitet relavante kan dalë ne vendin e ngjarjes,po ashtu është njoftuar prokurori i shetit i cili ka dal ne vendin e ngjarjesë, i cili ka rekomandue të inicohet rast “Trajtim i pa ndergjëgjeshëm mjeksor”, si dhe trupi i pa jetë degohet ne IML ne Prishtinë! Rasti po hetohet nga njesitet rajonale të hetimeve në Prizren.” Ndërkohë nga spitali kanë thënë për Sinjalin se pacientja ka vdekur në fund të operacionit, për çka ata thonë se janë të sigurt që është vdekje natyrale, por jo edhe familjarët. “Është vdekje e natyrshme, pacienti ka vdekë në fund të operacionit. Për t’i zbardhur dyshimet e familjarëve e kemi njoftuar Policinë. Pacientja ka qenë 65-vjeçare dhe ka hyrë me urgjencë në operacion, për shkak të dëmtimit të rëndë në shtyllën kurrizore. Në fund të operacionit, pacientja nuk i ka mbijetu anestezionit. Ne jemi të sigurtë që është vdekje e natyrshme, por për shkak të dyshimeve të pakta të familjarëve e nisëm rastin”, thanë nga spitali.