Populizëm mbi tragjedi: Si po e keqpërdor Albin Kurti FSK-në dhe Veriun për pushtet-Shkruan; Gjeneral Hisen BERISHA

(Viktima e radhës e Albin Kurtit nuk është vetëm një jetë e humbur, por edhe vetë siguria e Kosovës.)

Hyrjen në politikë Albin Kurti e shënoi me dy viktima: Idriz Balën dhe Arben Xheladinin.

Hyrjen në qeveri e shënoi me dy të tjera: Arbnor Deharin dhe Astrit Deharin.

E tani, për të mbetur në pushtet, ai nuk po kursehet as në krijimin e një iluzioni sigurie në veri – përmes keqpërdorimit dhe instrumentalizimit të Policisë, përfitimit mbi fatkeqësinë e një të riu, manipulimeve institucionale, skenarëve të stisur për të krijuar tensione në Veri dhe retorikës së gënjeshtërt.

Rasti i fundit në Ujman është ilustrim dramatik i kësaj strategjie politike.

Dërgimi i njësiteve të Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri për të kërkuar trupin e pajetë të të riut që u vetëflijua në liqen, duke thirrur nga frustrimi “Rrnoftë Albin Kurti!”, u përdor në mënyrë të paskrupullt për qëllime propagandistike.

Një akt i dhimbshëm u kthye në një shfaqje politike – në përpjekje për të përforcuar narrativën e viktimizimit politik dhe për të devijuar vëmendjen nga kriza e thellë kushtetuese dhe bllokada e institucioneve paszgjedhore në vend.

Por ajo që e tejkalon çdo kufi të përgjegjësisë deri në paskrupullsi është retushimi i fotografive nga vendi i ngjarjes. Me një ndërhyrje të qëllimshme, janë fshirë akronimet dhe shenjat identifikuese të mjeteve të KFOR-it, për të krijuar perceptimin e rremë se nuk ka qenë fare i pranishëm në operacion – dhe se FSK ka vepruar e vetme në veri, pa koordinim.

Kjo është një gënjeshtër e ndërtuar për efekt populist, që shkel rëndë të vërtetën institucionale dhe rrezikon statusin ligjor të besueshmërisë në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.

Në të vërtetë, FSK ka mandat në tërë territorin e Republikës së Kosovës, por veprimtaria e saj në veri është e kushtëzuar nga koordinimi me KFOR-in, në përputhje me Nenin 153 të Kushtetutës së Kosovës, që thekson:

“Asnjë autoritet i Republikës së Kosovës nuk ka juridiksion të rishikojë, të pakësojë ose përndryshe të kufizojë mandatin, kompetencat dhe detyrimet e referuara në këtë nen.”

Ky nen reflekton faktin se veriu i Kosovës nuk është vetëm një hapësirë fizike me tensione të trashëguara, por një zonë me status të veçantë të sigurisë ndërkombëtare. Çdo ndërhyrje institucionale në këtë pjesë të vendit është e kushtëzuar nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe mandati i NATO/KFOR-it, i mbështetur në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së.

Në vend se të tregojë përgjegjësi për ndjeshmërinë e kësaj zone dhe për kufizimet kushtetuese që burojnë nga partneriteti me NATO-n, Qeveria Kurti ka zgjedhur të manipulojë me emocionet e qytetarëve dhe të përfshijë FSK-në në lojëra të rrezikshme politike.

Retorika si “FSK për herë të parë zbarkon në veri” është jo vetëm e gënjeshtërt, sepse FSK ka operuar vazhdimisht në Veri si në tërë territorin e vendit – në koordinim me PUN, por është edhe manipulim me statusin e Forcës – një përpjekje e paskrupullt për mobilizim të militantëve në partiak, për të ua krijuar iluzionin se “shteti po shtrihet në veri”, ndërkohë që realisht po shkatërrohet vetë autoriteti institucional.

Ky operacion propagandistik është i ndërlidhur me përpjekjet për të shpërqendruar vëmendjen edhe nga protestat anti-Vuçiq në Beograd, duke ia krijuar narrativin se gjoja Kurti dhe FSK po i afrohen një “konfrontimi ushtarak” me Serbinë në veri të Kosovës – aty ku pretendohet të themelohet “Zajednica”.

Jo më pak shqetësuese është përpjekja për të kthyer këtë situatë në një fajësi politike ndaj PDK-së dhe ish-kryeministrit Thaçi, për gjoja “mosdërgimin” e FSK-së në veri. Kjo tendencë, e përforcuar edhe me dërgimin e një letre të NATO-së në Prokurori nën akuza absurde për “tradhti”, është pjesë e një strategjie të paskrupullt për të kriminalizuar të kaluarën institucionale dhe për të ngritur përmes mashtrimeve një realitet të ri – të ndërtuar mbi gënjeshtra.

Në fakt, ajo letër e vitit 2013 – e keqpërdorur nga qeveria Kurti për akuza politike – është konfirmim i qartë se siguria dhe pacënueshmëria e Kosovës është në domenin e përgjegjësisë së NATO/KFOR dhe se në atë kohë FSK nuk kishte kapacitete operacionale për Mbrojtje e Territorit (MIT/TD). Në vitin 2013, FSK kishte mandat vetëm për MUAC (Mbështetja Ushtarake për Autoritetet Civile), për ndërhyrje në fatkeqësi natyrore, brenda dhe jashtë vendit deri në 200 km, me kërkesën e shteteve përkatëse.

Për komponentën e mbrojtjes territoriale, Kosova ishte në proces të Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë (RSSS), në fazën e analizës së kapaciteteve dhe kërcënimeve, ndërsa as nuk ishte filluar raporti përfundimtar icili u përfundua me 8 Prill 2014 – dhe as Plani Gjithëpërfshirës i Tranzicionit (PGJT), i cili u përpilua në vitin 2015, e që filloi të zbatohet vetëm pas miratimit të Ligjit për Forcën në Dhjetor të vitit 2018, për një periudhë dhjetëvjeçare. Në vitin 2014 ishte sabotuar votimi nga vetë LVV – përkundër faktit se deputetët serb kushin pranuar ti votojnë ndryshimet kushtetuese – me kusht që t’iu mundësohen vendet e rezerbuara edhe për një mandat.

Përdorimi i arritjeve të FSK-së jashtë misionit të saj dhe pakoordinimi me SHBA-në dhe NATO-n ka rezultuar me pasoja konkrete: përjashtim nga ushtrimet me NATO “Defender Europe 23”, si pasojë moscertifikim të kapaciteteve fillestare operacionale, dhe përfaqësim të kufizuar në ushtrimet e fundit “Defender Europë 25” vetëm me 700 efektivë.

Ndërkohë, 1/3 e ushtarakëve me trajnime elitare janë larguar nga Forca, për shkak të kushteve të degraduara dhe mungesës së perspektivës profesionale – një humbje e papërballueshme, që dyfishohet nëse do të duhet nvestuar në kapacitete të reja për t’i zëvendësuar.

Në këtë kontekst, përdorimi i një fatkeqësie për propagandë, manipulimi vizual i prezencës së KFOR-it, dhe përfshirja e Forcës në retorikën populiste janë dëshmi e rrënimit të asaj që konsiderohej si segmenti i fundit i besueshëm i shtetit: sistemi i sigurisë dhe mbrojtjes.

Prandaj, është e domosdoshme që Zyra e PUN dhe vendet e QUINT-it të reagojnë ndaj këtij abuzimi të rrezikshëm.

Heshtja ndaj sjelljeve të tilla do të barazohej me bashkëpërgjegjësi në delegjitimimin e institucioneve dhe në përçarjen e partneritetit me NATO-n dhe SHBA-në.

Kosova nuk mund të ndërtojë sovranitet mbi gënjeshtra dhe as demokraci mbi viktima të përdorura si mjet propagandistik. Kur një qeveri mashtron për një trup të pajetë, për një fotografi dhe për një uniformë – ajo nuk është më vetëm e papërgjegjshme. Ajo bëhet rrezik për sigurinë kpmbëtare dhe vetë ekzistencën e shtetit.