POPULL I LIBRAVE TË DJEGUR- Shkruan; Prof.Dr.Milazim Krasniqi

0

Shtëpia duket e djegur vetëm pjesërisht, ndërsa disa dhoma të saj ishin vetëm të përzhitura nga flakët e të nxira nga tymi. Në njërën prej atyre dhomave vura re se kishin shpëtuar disa libra që ishin në një vitrinë të vogël. Fillova t’i kërkoja titujt e librave, po në disa nga kopertinat nuk dalloheshin shkronjat. Ishin të nxira nga tymi ose të shkrumbuara nga flaka. Ashtu edhe filloi një aventurë e imja, e cila m’u bë edhe gëzim edhe torturë shpirti. Kërkimi pas librave të djegura m’u bë një obsesion, në gjithë ekspeditën që zgjati disa javë.

Në shumë shtëpi gjysmë të djegura, gërmoja nëpër vitrina gjysmë të djegura, duke shikuar titujt e librave. Këtë obsesion timin e hetoi edhe doktor Hansi, i cili shfaqi njëfarë habie për prirjen time. Kur i tregova se të-rë jetën kisha jetuar mes librave, ai qeshi dhe tha:

– Ti ke jetuar mes librave, ndërsa unë mes gërmadhave. Tërë jetën kam jetuar nëpër gërmadha. Ha ha ha. Pastaj heshti. Vura re se nuk e kishte freskinë e ditës së parë kur u nisëm në ekspeditë. M’u duk se lodhja dhe mërzia i rrinin varur në vetulla si re të shprishura në një qiell të ndryshueshëm. Fshiu ballin me shuplakën e dorës së djathtë dhe pastaj vëzhgoi shtresën e blozës e të pluhurit që iu vizatua në të. Derisa unë po mundohesha ta lidhja disi bi¬sedën, doktor Hansi vazhdoi me një zë melankolik:

– Kam qenë në Kamboxhë, në Laos, në Palestinë, në Tibet, në Ruandë, në Kongo, në Guatemalë, gjithkund ku ka pasur gërmadha. Askund nuk kam gjetur dikë që kërkon libra në gërmadha. Interesant! Më kanë thënë se ju shqiptarët jeni dashamirë të librave dhe e gjeta një shembull të mirë.

– Tërë jeta jonë si komb është një kërkim tragjik pas librave të djegura, i thashë, megjithëse nuk isha i sigurt se arrita ta formuloj mirë mendimin.

– Si tërë jeta? – u bë kurreshtar Hansi.

– Gjithmonë na i kanë djegur edhe librat. Bashkë me djegien e kështjellave, kullave e shtëpive, bashkë me dëbimin nga vendi ynë, na i kanë zhdukur edhe gjurmët, na i kanë djegur librat. Ka shumë dëshmi.

– Kam mbledhur mjaft informacione para se të vija këtu, po për këtë punën e librave nuk kam ndonjë shënim – ma ktheu Hansi i mërzitur.

– Ka sa të duash.- i thashë. Ka lënë shënime për djegien e librave shqipe edhe një murg i quajtur Guilielm Adae, qysh në vitin 1332

– Kur, kur?!- më ndërpreu i tmeruar Hansi.

– Në vitin 1332, pra. Ai ishte një udhëpërshkrues dhe ka lënë një dëshmi të fortë se shqiptarët në librat e tyre përdornin alfabetin latin. Por, asnjë libër i asaj kohe kurrë nuk është gjetur. I kanë djegur pushtuesit.

– Kush kanë qenë ata pushtues? -pyeti Hansi me zë pak më të qetë.

– Kanë qenë romakët, bizantinët, normanët, kryqtarët, anzhuinët, mandej sllavët, mandej osmanët dhe tash sërish sllavët.

– Më duket tepër tragjike – tha në fund doktor Hansi.

– Nga ai çast me Hansin u miqësuam dhe ia kaluam mirë, edhe pse ai ishte mjaft i rreptë në punë. (Fragment nga romani im me titull “Fotografitë e kujtimeve”)

Bottom of Form

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *