Presidenca e Këshillit dhe Parlamenti Evropian bien dakord për liberalizimin e vizave për Kosovën 
Presidenca e Këshillit dhe përfaqësuesit e Parlamentit Evropian sot kanë arritur marrëveshje për projekt-rregulloren për udhëtimin pa viza për poseduesit e pasaportave të lëshuara nga Kosova.”Teksti i rënë dakord tani duhet të miratohet nga Këshilli dhe Parlamenti Evropian përpara se të kalojë procedurën formale të miratimit”, thuhet mes tjerash në kumtesën e lëshuar, përcjell Klan Kosova.Rregullat e reja do t’i lejojnë mbajtësit e pasaportave të Kosovës të udhëtojnë në BE pa vizë, për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore. Ky përjashtim nga kërkesa për vizë do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) dhe në çdo rast jo më vonë se 1 janari 2024.Tutje thuhet se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.”Në bazë të këtij vlerësimi, Komisioni propozoi heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova. Përjashtimi nga kërkesa për vizë do të sigurojë që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të jetë nën të njëjtin regjim vizash. Komisioni do të vazhdojë të monitorojë në mënyrë aktive zbatimin e këtyre kërkesave, duke përfshirë harmonizimin e politikave të vizave, përmes mekanizmit pas liberalizimit të vizave”, specifikohet në njoftim.