Presidentja Osmani në Ditën e Veteranëve: Përulem para atyre që atdheun e kanë mbi të gjitha
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani me rastin e 30 dhjetorit, Ditës së Veteranëve tha se kjo ditë i dedikohet njerëzve që patën guximin që në momentet më të vështira, atdheut t`i bëhen mbrojtës, por edhe të jenë lajmëtarë të lirisë.Osmani në një postim në Facebook shkruan se kjo datë bie në të njëjtën ditë kur tri dekada më parë, më 30 dhjetor 1991, komandanti legjendar Adem Jashari me familje nisi rezistencën në një përballje direkte me forcat e regjimit gjenocidal serb.
Lexoni të plotë postimin e Osmanit në Facebook:
“Fundviti përkon edhe me Ditën e Veteranit të UÇK-së, e cila i dedikohet njerëzve që patën guximin që në momentet më të vështira, atdheut t`i bëhen mbrojtës, por edhe të jenë lajmëtarë të lirisë. Sot nderojmë të gjithë ata veteranë, të cilët nuk hezituan, por rezistuan, nuk ngurruan, por luftuan dhe nuk u zmbrapsën, por i dhanë shtytje lirisë sonë. Kjo datë bie në të njëjtën ditë kur 3 dekada më parë, më 30 dhjetor 1991, komandanti legjendar Adem Jashari me familje nisi rezistencën në një përballje direkte me forcat e regjimit gjenocidal serb, duke shënuar kësisoj fillet e rezistencës ushtarake të ushtrisë, së cilës i priu deri në rënien e tij bashkë me familje. Përulem para të gjithë atyre veteranëve, të cilët atëherë e sot, atdheun e kanë mbi të gjitha!”.