Presidentja Osmani nxjerr dekretin: Zgjedhjet e rregullta parlamentare mbahen më 9 shkurt 2025
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar 9 shkurtin e vitit 2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.
Ky dekretim vjen në përputhje me afatet kushtetuese dhe ligjore që përcaktojnë periudhën brenda së cilës duhet të zhvillohen zgjedhjet e radhës.
Në dekretin e nënshkruar nga Osmani thuhet se caktimi i datës së zgjedhjeve u bë pas konsultimeve me partitë politike dhe me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“Udhëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës, t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës në përputhje me këtë Dekret dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në dokumentin e publikuar nga presidentja Osmani.
Më 31 korrik, presidentja Osmani ftoi të gjitha partitë parlamentare në konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve. Në këtë takim nuk mori pjesë kreu i partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti.
Pas atij takimi, Osmani ka thënë se partitë kanë pasur propozime të ndryshme për datën e zgjedhjeve, por askush nuk ka insistuar për një të tillë. Disa nga datat e përmendura ishin 26 janari ose 2, 9 dhe 16 shkurti.
Ky proces pritet të paraprihet me një fushatë intensive nga partitë politike, të cilat do të paraqesin platformat dhe kandidatët e tyre për të fituar besimin e elektoratit.
Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 pritet të përcaktojnë drejtimin politik të Kosovës për vitet e ardhshme, duke qenë një moment i rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e mëtejshëm të shtetit