“Presion politik”, Ahmetxhekaj tregon arsyen e largimit nga posti i drejtorit të përgjithshëm të RTK-së
Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj ka dhënë dorëheqje nga ky post. Pas dorëheqjes së tij, Bordi i RTK-së ka emëruar ushtruese detyre të drejtoreshës së përgjithshme, Zana Spahiun.
Ahmetxhekaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se vendimi për dorëheqje ka ardhur si rezultat i një persioni politik, dhe se nuk është akt dorëzimi i tij.
“Ky akt nuk është dorëzim dhe nuk reflekton vullnetin personal për të mos vazhduar me drejtimin e RTK-së, por është kulmim i një presioni politik 7 mujor që rezultoi me mospajtime të thella me Bordin për çështje fundamentale të ecjes tutje të transmetuesit publik”, ka shkruar Ahmetxhekaj.
Ai tutje ka shtuar se në këtë kontekst, qëndrimi i mëtutjeshëm në këtë pozitë kur ka mosbesim, mungesë të mbështetjes për procesin e reformës së RTK-së dhe Strategjinë Zhvillimore 2024-2027, është i pakuptimtë dhe do të sillte vetëm bllokadë e stagnim për transmetuesin publik.
“30 muaj në menaxhim të RTK-së do të mbesin për mua nderi më i madh jetësor, ngase arrita t’i shërbej me sukses fuqizimit dhe rritjes së kredibilitetit të shtëpisë sime të dytë. Kjo dëshmohet edhe me hulumtimet e opinionit publik.
Jam krenar që gjatë kësaj periudhe, pavarësisht shkurtimit buxhetor, përmbusha në masë të madhe strategjinë e prezantuar në qershor 2022, kur edhe mu besua mandati për të udhëhequr me RTK-në”, ka shkruar Ahmetxhekaj.
Ahmetxhekaj ka shtuar se kjo dorëheqje është e pazakontë, pasi me këto të arritura pajtohet edhe Bordi por situata aktuale është larg entuziazmit të prillit 2022 kur me ekipin tim të asaj kohe ndërtuam themele të fuqishme të ndryshimit strukturor e programor duke marrë vendime të guximshme e profesionale që trasuan rrugën për ndryshimet e tjera pasuese.
“Me atë ekip, kishim plane të mëdha dhe punuam më përkushtim maksimal për ta bërë realitet, ëndrrën për një RTK të fuqishme, kreative, të pavarur dhe llogaridhënëse”, ka shkruar Ahmetxhekaj. /Telegrafi/