Prezantojmë poeten: Rovena SHUTERIQI

0

Telepati si kjo, s’më ka ndodhur

_________________________

Përgjumësh ecja kalldrëmit rutinor,

edhe dita, përtonte të zbardhte,

kudo boshatisur nga njerëz dhe makina,

dielli seç ma bën me sy, papritmas.

Hodha vështrimin naziar drejt tij,

buzëqesha pa e kuptuar as vetë,

me fytyrën tënde më ngjau atë çast,

rrezet m’u derdhën kurmit, më përkëdhelën si ti, gjatë verës në shtrat.

Ecja si balerinë, kështu më duk mua, prej haresë.

Ndjeva të më përshkojë një zjarr në shpirt.

U skuqa si çdoherë kur gushës më puthje,

Telepati si kjo, s’më ka ndodhur,

nga telefoni më uron:

“Mirëmëngjes!”

Vetëm me ty u dashurova

____________________

Rrebesh shikimesh trupin ngado mbuluan.

Shihja vetëm xixëllonja, që dëshirat ndiznin.

Tinguj violine më fluturonin drejt valëzimeve të Ibrit,

dhe unë ngadhnjimtare, nimfë lumi, lozanjare.

Këmishën e kuqe hodha mbi breg.

Në majë gishtash vrapoja për tek shkëmbi,

atje, ku u strukëm si adoleshentë të pafajshëm,

për herë të parë, vetëm me ty u dashurova.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *