Priten masa të reja kundër përhapjes së Covid-19 në Kosovë
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka paralajmëruar masa ta reja pas rritjes së rasteve me COVID-19, në Kosovë.
Ai ka thënë se do të ketë kufizim të lëvizjes dhe tubimeve që nga dita e nesërme
Zemaj madje ka folur edhe për qytetarët të cilët po kalojnë fundjavat në vende të tjera, që sipas tij po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve.
“Turizmi i fundjavës në vende tjera dhe kthimi i qytetarëve nga vendet e vizituara, tubimet si protestat e ndryshme, ngjarjet sportive pa respektim të masave mbrojtëse dhe aktivitete të tjera po ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e numrit të rasteve të Covid-19, dhe për pasojë po shkaktojnë ngarkesën e spitaleve dhe profesionistëve shëndetësor”, ka thënë Zemaj në konferencën për media, përcjell albinfo.ch.
Për miratimin e vendimeve të propozuara nga ministri Zemaj, Qeveria e Kosovës pritet të mbaj një mbledhje.
Mediat kosovare kanë raportuar që në masat e reja do të përfshihet edhe karantinimi një javor për të gjithë qytetarët që kthehen nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia.
Sot në Kosovë është raportuar për numër rekord të rasteve të reja, gjithsej 276 sosh. Ndërsa janë konfirmuar edhe tetë viktima nga Covid-19.