Prizren: Ndërpritet seanca ndaj të akuzuarve për përleshje
I akuzuari A.S. ka kërkuar që të përjashtohet Prokurori Metush Biraj si dhe gjithë Prokuroria Themelore në Prizren në rastin ku ai bashkë me R.Xh dhe B.Xh po akuzohen se shin përleshur mes vete.A.S kërkesën për përjashtimin e Prokurorit Metush Biraj e bëri me arsyet se prokurori është selektiv dhe i njëanshëm dhe se tek ai nuk ka besim. Shtoi se akuzat që i ka ngritur ndaj tij nuk kanë të bëjnë asgjë me të dhe se ai në këtë rast nuk duhet të jetë i akuzuar por duhet të jetë i dëmtuar. Ai shtoi se si është e mundur që një person i therur me thikë dhe i sulmuar nga 5 persona me thika, gjësende të forta, dru nga të cilat mezi ka mbijetuar të jetë i akuzuar i cili i tregoi gjykatës edhe një foto që tregon trupin e tij apo plagët që ka marrë nga dy të akuzuarit e tjerë.Në fund tha se ndihet i shqetësuar për akuzat e padrejta që ka bërë prokurori ndaj tij dhe se të njëjtat janë të fabrikuara dhe të manipuluara dhe se këtë e dëshmojnë të gjitha faktet që i posedon andaj edhe kërkoi që seanca e sotme të ndërpritet.Për këtë arsye kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi, ka ndërprerë seancën e sotme duke marrë parasysh kërkesën për përjashtim të prokurorit të çështjes dhe gjithë Prokurorisë Themelore në Prizren.Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, në tetor të vitit 2018, kishte shpallur aktgjykimin për këtë rast, ku i akuzuari R.Xh ishte shpallur fajtor për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” dhe e ishte dënuar me 15 muaj burgim. Kurse, B.Xh ishte shpallur fajtor për veprën penale “pjesëmarrje në rrahje” dhe ishte dënuar me tre muaj burgim.Ndërsa, A.S ishte shpallur fajtor për veprat penale “lëndim i rëndë trupor” dhe “lëndim i lehtë trupor”.Për lëndim të rëndë trupor, A.S ishte dënuar me gjashtë muaj burgim, kurse për lëndim të lehtë trupor ishte dënuar me tre muaj burgim. Dënimi unik i shqiptuar ndaj tij kishte qenë tetë muaj burgim efektiv.Por, pasi që palët kishin ushtruar ankesa kundër aktgjykimit të shkallës së parë, Gjykata e Apelit në shkurt të vitit 2019, e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.Fillimisht këtë lëndë e kishte gjykuar gjykatësi Xheladin Osmani, mirëpo pas ankesës së palës së dëmtuar, tani të akuzuarit A,S, gjykatësi Osmani me vendim të Gjykatës Supreme ishte përjashtuar dhe lëndën e ka pranuar gjykatësja Ajser Skenderi.Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 16 gusht 2018, R.S akuzohet se me dashje ndërmerr veprime për vrasje të personit tjetër, por vepra nuk është realizuar.Sipas prokurorisë, vepra ishte kryer në atë mënyrë që në rrugën e shtëpisë së tij, në fshatin Korishë, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme lidhur me rrugën dhe largimit të cungave prej rrugës nga ana e të dëmtuarit A.S, i akuzuari R.Xh së bashku me babanë e tij, shkon në drejtim të të dëmtuarit A.S, ku fillimisht përleshen me grushte, e pastaj në një moment me thikë dy herë e godet të dëmtuarin A.S në regjionin e kafazit të majtë të kraharorit afër zemrës dhe një herë në regjionin e abdomenit.Për këto veprime, R.Xh akuzohet nga prokuroria se ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë.Ndërsa, B.Xh akuzohet se merr pjesë në rrahje, e cila rezulton me lëndime të rënda trupore për personin tjetër, ashtu që së bashku me të birin e tij, të akuzuarin R.Xh me grushte e pastaj me një shkop e godet nëpër pjesë të ndryshme të trupit të dëmtuarin A.S.Me këto veprime, nga prokuroria B.Xh po akuzohet se ka kryer veprën penale, pjesëmarrja në rrahje.Kurse, A.S akuzohet se i shkaktoi lëndim të rëndë trupor personit tjetër, deri në masën e tillë sa që mund të rezultojë me dëmtimin e përkohshëm të shëndetit, në atë mënyrë që gjatë përleshjes, me grushte e godet të dëmtuarin B.Xh, të cilit i shkakton lëndime të buta të hundës, nën gjurit të majtë dhe lëndime të tjera.Po ashtu, ai akuzohet se gjatë përleshjes, R,Xh e godet me grushte nëpër trup dhe fytyrë, duke i shkaktuar lëndime të lehta në kokë dhe në pjesën e majtë të fytyrës.Me këto veprime, ai akuzohet nga prokuroria se ka kryer veprat penale, lëndim i rëndë trupor si dhe lëndim i lehtë trupor.