Prizren: Prokuroria akuzon dy persona dhe një agjenci punësimi për mashtrim me viza pune

        Prokuroria në Prizren njofton se sipas aktakuzës, nga muaji nëntor 2020 deri më 19 prill 2021, në rrugën “Zanat” në Prizren,  me dashje dhe me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe duke fshehur faktet, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten dhe për t’i shkaktuar dëm material personave tjerë, i mashtrojnë dhe vazhdojnë lajthimin e personave tjerë dhe me këtë i nxisin të dëmtuarit: L.K., P.F.,V.S., S.T., Gj.S., E.K., Sh.S., E.F., J.D., K.Sh., D.J., dhe F.K., që të njëjtit të kryejnë veprime në dëm të pasurisë së tyre.Aktakuza thotë se të pandehurit, me qëllim të përfitimit pasuror më 22 tetor 2020 krijojnë biznesin te tyre, si agjenci punësimi kinse për pajisjen e qytetarëve të Kosovës me viza pune për në Kroaci dhe Gjermani, nga të cilët kërkojnë plotësimin e dokumentacionit dhe si kundërvlerë paraprake marrin parapagime nga të dëmtuarit në shumat prej 300 deri në 500 euro. Mirëpo, thuhet se asnjërit prej tyre nuk i rregullojnë dokumentacionin e premtuar, me ç’ rast secilit veç e veç i shkaktojnë dëm material, ndërsa për vete në kuadër të veprimtarisë afariste në mënyrë të kundërligjshme përfitojnë dobi pasurore në vlerë të përgjithshme prej 5 mijë e 750 euro. Me këtë, ngarkohen se në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” nga nenet e kodet përkatëse. “Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet në njoftim. Po ashtu, thuhet se i është propozuar gjykatës që t’i urdhërojë kryesit e veprës? penale për të paguar shumë të barasvlershme ndaj të dëmtuarve ose nga të njëjtit të konfiskojë çdo pasuri me vlerë të barasvlefshme.