Prizreni ndalon aktivitetet e gjuetisë për sezonin 2025–2026

Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e Komunës së Prizrenit ka njoftuar se për sezonin e ardhshëm 2025–2026 ndalohet zhvillimi i çfarëdo aktiviteti të gjuetisë në territorin e komunës, raporton Telegrafi.

Sipas njoftimit zyrtar, kjo masë vjen pas një vendimi të Gjykatës Themelore në Prizren dhe të Drejtoratit Qendror të Inspeksionit për Pylltari dhe Gjueti (APK–MBPZHR), me të cilin vendgjuetiet në komunë janë pezulluar përkohësisht.

Në bazë të aktvendimit të gjykatës nr. 324/2021 të datës 20 maj 2021 dhe vendimit të DQIPGJ-së të datës 14 dhjetor 2018, Komunës së Prizrenit i ndalohet zhvillimi i çdo aktiviteti të lidhur me gjuetinë për sezonin 2024–2025 dhe për sezonin vijues 2025–2026.

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bexhat Bytyqi, ka theksuar në njoftim se vendimi për hapjen e sezonës së gjuetisë ref. KM123/2025 nuk vlen për Komunën e Prizrenit, për shkak të vendimeve gjyqësore në fuqi dhe rrethanave të përmendura.

Ky vendim është komunikuar edhe me Policinë e Kosovës, Policinë Kufitare, si dhe me Shoqatën e Gjuetarëve të Prizrenit, të cilët janë kërkuar të respektojnë ndalesën deri në një njoftim të ri.