Probleme për Interin
Pas një periudhe ambientimi, që u ndërpre edhe nga pandemia Covid-19, Victor Moses filloi të tregojë vlerat e tij me fanellën e Interit, pasi në dy ndeshjet e fundit ishte bërë protagonist pozitiv i skuadrës së Antonio Contes.
Një asist për golin e fitores në Parma dhe disa shpërthime radhazi e një penallti e fituar në ndeshjen me Brescian, filluan të bindin edhe më skeptikët, për vlerat e mbrojtësit të ardhur në huazim nga Chelsea.
Megjithatë kur pritej të konfirmohej si titullar edhe për sfidën ndaj Bolognës të dielën pasdite, Moses është dëmtuar dhe nuk do të jetë fare në dispozicion të Antonio Contes.
Sipas mjekëve zikaltër bëhet fjalë për një dëmtim të lehtë, të shkaktuar kryesisht prej ngarkesës, por që do ta lërë mbrojtësin jashtë ndeshjes me Bolognën dhe me shumë gjasë edhe jashtë asaj me Veronën mesjavën e ardhshme.
Victor Moses u transferua në Milano gjatë muajit janar me formulën e huazimit me të drejtë blerjeje për shifrën e 12 milionë eurove, por në fillim të muajit gusht do të duhet të rikthehet te Chelsea, pasi zikaltrit investuan te Achraf Hakimi për atë rol dhe nuk kanë ndërmend të blejnë edhe nigerianin.