PROFESORI, PËRFYTYRIMI I TË CILIT MË PËRCJELL GJITHË JETËN-Shkruan;Hasan BALA

                   Ky është PROFESORI im i vetëm, përfytyrimi i të cilit më përcjell gjithë jetën. Dhe këto foto, që megjithatë janë të pakta, nuk mund të mos i ri-kujtoj, derisa do të jem në dimensionin fizik të kësaj bote – pasi që për gati 10 vjet sa e vizitova në vazhdimësi, u krijua një lidhje e paharrueshme me Profesorin, e që është lidhja më fisnike që ekziston në mesin e njerëzve: Lidhja shpirtërore midis NXËNËSIT dhe MËSUESIT. Unë nuk e pata fatin ta kem mësimdhënës të mësimit formal në shkollën ku ai punoi. Por unë e pata mësues në një mësim joformal, dhe jo në shkollë, pasi që e kisha kryer Shkollën e Lartë Pedagogjike, natyrisht kur edhe isha në gjendje që ta kuptoja e ta përballoja më lehtë peshën e një njohjeje kolosale të cilën e posedonte Profesori (ndoshta si askush tjetër në Kosovë). E ato ligjërata brilante, shumë përmbajtjesore, të një niveli të lartë; atë mësim të papërshkrueshëm të një intelektuali humanist të rangut akademik, unë e zgjodha vetë, vullnetarisht, meqë unë atë mësim e kisha kërkuar tërë atë periudhë të rinisë sime. Atë mësim që nuk gjendej dot në shkollat formale, unë e gjeta te Profesori. Unë isha nxënësi vullnetar i tij. Ai ishte GURUI IM. Prandaj, rikujtimi i tij nga ana ime, së paku, në këtë mënyrë të thjeshtë, me ndonjë fjali përcjellëse, është ajo më e pakta që unë duhet të bëj për të. Atij njeriu të madh ne i kemi borxh shumë më tepër. Dhe ai meriton shumë më tepër, por fatkeqësisht që vogëlsia ime mund të bëj kaq pak për TË.

5 mars 2022 ~ HHB ~