Prokuroria Speciale fton për intervistim dy zyrtarë të LVV-së, ata e quajnë institucion të kapur
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka dhe aktivisti i kësaj partie, Egzon Azemi kanë njoftuar të enjten se janë ftuar nga Prokuroria Speciale për intervistim.Sipas tyre, ftesa për intervistim u është bërë lidhur me deklaratat pas lirimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i cili dyshohej për “terrorizëm në bashkëkryerje”.Manxhuka përmes një postimi në Facebook ka akuzuar Prokurorinë Speciale se “po i përndjekë qytetarët me prefixin VV”. “Rreth 250 denoncime të shkeljeve e proceseve korruptive janë bërë nga ana e ministrive përgjatë kësaj kohe të qeverisjes. Veprimet e prokurorisë jo që ishin të mangëta, por shpeshherë rrëzuan raste me situatë të qartë”, ka shkruar zëdhënësi i VV-së.“Por, Prokuroria Speciale nuk është se ishte pasive, përkundrazi ajo është më aktive se kurrë në përndjekje të qytetarëve me prefixin VV. Pra, ky është keywordi që i bënë përshtypje kësaj Prokurorie. Në këtë linjë, për nesër jam ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale, në lidhje me reagimin tim në rastin e lirimit të kriminelit/terrorist Dejan Pantiq. Detajet besoj do t’mi jep nesër prokurorja”.Manxhuka tutje është shprehur se “kjo përpjekje e nomenklaturës së moçme si në politikë ashtu edhe në Prokurori për të frikësuar qytetarin e Kosovës, aktivistin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! është dëshmuar të jetë e kotë”. “Nuk do të ja dalin”, ka përfunduar ai.