Prokuroria Speciale nis hetime për kontratën e dy urave në Mitrovicë: Në trajtim rreth 2 mijë kontrata njëburimore

                 Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka reaguar pas interesimit të madh publik për kontratën 3 milionëshe të nënshkruar nga Qeveria për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë – projekt ky i prezantuar së fundmi nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Përmes një komunikate për media, Prokuroria thekson se nuk ka kompetencë për të vlerësuar apo aprovuar projekte infrastrukturore, por se ka rol hetimor kur dyshohet për keqpërdorim të fondeve publike.

“Prokuroria Speciale ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të konstatimit të drejtë të gjendjes faktike për të gjitha dyshimet lidhur me këtë rast, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale”, thuhet në komunikatë.

Më tej, PS-ja sqaron se aktualisht janë në trajtim rreth 2 mijë kontrata njëburimore, të cilat po shqyrtohen nga pesë prokurorë të angazhuar për këtë çështje.

Prokuroria ka theksuar se hetimi për këtë kontratë nuk përbën kundërshtim ndaj projektit të urave, por është pjesë e përmbushjes së obligimeve ligjore në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe sundimit të ligjit, për të garantuar administrim të drejtë të resurseve shtetërore.

“Hetimi për kontratën për ndërtimin e urave në Mitrovicë, nuk ka të bëjë me ndonjë kundërshtim ndaj projektit në fjalë, por me përmbushjen e obligimeve ligjore, në mbrojtje të interesit publik dhe sundimit të ligjit, në mënyrë që të garantohet një administrim i drejtë dhe ligjor i resurseve publike”, thuhet në njoftim./Telegrafi/