Prokuroria Themelore në Prizren ngritë aktakuzë ndaj 11 personave për 6 vepra penale

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj 11 personave, të cilët dyshohen se janë përfshirë në gjashtë vepra të ndryshme penale.

Sipas prokurorisë, të dyshuarit M.U., F.M., A.B., A.B., J.B., S.M., L.M., A.M., I.B., A.B., dhe I.S., dyshohen se kanë kryer veprat penale “lëndim i rëndë trupor”, “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “lëndim i lehtë trupor”, “pjesëmarrje në rrahje” dhe për veprën penale “sulm”.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri M.U., me datë 06.05.2023 rreth orës 20:05 në Mamushë, saktësisht në hapësirën e jashtme të objektit për shitjen e karburanteve “P.P.”, me qëllim që t’ i shkaktoj lëndime trupore personit tjetër, e sulmon me armë zjarri të dëmtuarin I.B., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshjeje rreth një borxhi në mes të pandehurit A.B., dhe F.M., përfshihen në rrahje 11 (njëmbëdhjetë) të pandehur nga të dyja palët, ku gjatë përleshjes i pandehuri M.U., i armatosur me armë- revolver, shtënë në drejtim të dëmtuarit të cilin e godet në pjesën e këmbës së djathtë, veprime këto me të cilat të dëmtuarit I.B., i shkaktojnë lëndime të rënda trupore. Me këto veprime, i pandehuri M.U., ka kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, bëhet e ditur se i pandehuri F.M., gjatë përleshjes, e ka përdorur pistoletën, ku ka shtënë disa herë në ajër, me ç’rast ka kryer veprat penale “përdorim i armës” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“I pandehuri, A.B., me qëllim që t’ i shkaktoj lëndime trupore personit tjetër, ku gjatë përleshjes, me armën e zjarrit – pistoletë, përkatësisht me pjesën e dorezës së armës e godet dy herë në kokë të dëmtuarin S.M., me ç’ rast të dëmtuarit i shkakton lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin. Me këto veprime, kryen veprat penale “Lëndimi i lehtë trupor” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim, përcjell Klankosova.tv.

E, i pandehuri J.B., thuhet se ka marrë pjesë në rrahje, e cila ka rezultuar me lëndim të rëndë trupor.

“Të pandehurit: F.M., S.M., L.M., A.M., A.B., I.B., dhe A.B., me qëllim që t’ i shkaktojnë lëndime trupore personave tjerë, marrin pjesë në rrahje. Me këto veprime, secili veç e veç kishte për të kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje” të KPRK-së”.

“I pandehuri, I.B., me qëllim që ta lëndoj tjetrin, me dashje e sulmon të dëmtuarin/pandehurin A.B.,Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Sulmi” sipas KPRK-së”, bëhet e ditur në komunikatë, përcjell Klankosova.tv.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.