Prokuroria Themelore në Prizren,kërkon paraburgim për të arrestuarit për fajde

 Prokuroria Themelore në Prizren njofton opinionin publik se ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të pandehurve E.K., dhe A.K., të cilët gjenden në ndalim 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Fajdeja” nga neni 331 dhe “Detyrimi” nga neni 328, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas kërkesës së prokurorisë, nga viti 2021 dhe në vazhdimësi, i pandehuri E.K., duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit B.Ç., i ka dhënë këtij të fundit shuma të ndryshme parash, duke kontraktuar përfitime dukshëm jo proporcionale. Si rezultat i kësaj skeme fajdeje, vetëm në emër të kamatave nga i viktima B.Ç., i njëjti merr mbi 400,000 (katërqind mijë) euro.

Në pamundësi për të përballuar dhe kthyer borxhin, hynë edhe viktima e dytë B.B., që merr para nga të pandehurit për t’i ndihmuar viktimës së parë në shlyerjen e borxhit. Të pandehurit E.K., dhe A.K., nga viktimat, për shkak të grumbullimit të kamatave, kërkojnë shumën prej 550,000 (pesëqind e pesëdhjetë mijë) euro. Për të siguruar këtë shumë, të pandehurit kërkojnë nga viktima B.Ç., që në emër të kamatave t’u kalojnë në pronësi lokale 2 (dy) lokale afariste dhe 1 (një) shtëpi, me vlerë të përgjithshme rreth 1 (një) milion euro.

Të pandehurit E.K., dhe A.K., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, përdorin forcë duke i rrahur dhe kanosur viktimat, me ç’rast e detyrojnë viktimën B.Ç., që më datë 11.03.2026 së bashku me nënën e tij të shkojnë fillimisht në zyrën e përmbaruesit privat për të vazhduar më pas me procedurat noteriale për kalimin e pronës, mirëpo në aplikim të masave të veçanta hetimore, ndërhyn policia dhe i arreston të pandehurit.

Gjatë aksionit dhe veprimeve hetimore, Prokuroria Themelore në Prizren ka sekuestruar pasuri të specifikuar, para të gatshme, pajisje elektronike, kontrata, akte të ndryshme noteriale, dhe prova të tjera materiale, të cilat lidhen me veprat penale të lartcekura.

Prokuroria Themelore në Prizren mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, në mbrojtjen e viktimave të veprave penale dhe në forcimin e sundimit të ligjit, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për vënien para drejtësisë të personave që bien ndesh me ligjin.