Prozë brilante nga shkrimtari:-Gëzim AJGERAJ

PALIMPSESTI I GJALLË I GURIT

Qyteti lindi para se ta dinte emrin e vet,

si një frymëmarrje guri në mjegullën ilire,

një tingull i fshehur që priste të bëhej Therandë.

Lumbardhi rrjedh si një fjali e lashtë e pambaruar, duke përsëritur atë që koha, në nxitim, e harron; uji është historiani më i saktë, ai nuk shënon data, por mban mend lagështinë e çdo shekulli mbi lëkurë.

Në rrugët që lidhnin detin me brendësinë e botës, perandoritë kaluan si hije kalimtare mbi mure, romakë e bizantinë, thjesht emra të gërvishtur në gur, ndërsa qyteti mbeti pyetja që nuk kërkon përgjigje.

Mesjeta e veshi me kurora të huaja e pushtet qiellor, ku nën kupola jehonte lavdia, ndërsa qielli hesht’te, derisa erdhi koha e minareve dhe urave të dritës, ku guri mësoi të lutej në shumë gjuhë e shumë besime.

Xhamitë, kishat, teqetë, janë faqe të së njëjtës bibliotekë, pasqyra ku Vetëdija e Madhe sheh fytyrat e njeriut, ndërsa në një shtëpi të thjeshtë qershori, fjala u bë zemër që rrihte përtej mureve, duke shpikur një ardhmëri.

Edhe kur shekulli i njëzetë kaloi si stuhi me shumë emra, dhe flaka preku pragjet duke tentuar të fshijë historinë, guri nuk e harroi formën e vet, sepse dëmtimi është vetëm një tjetër mënyrë se si kujtesa mbijeton.

Sot, Prizreni është një pasqyrë ku koha ecën në rreth, një enigmë ku çdo brez që shkel mbi të njëjtin kalldrëm, beson se po e zbulon dritën për herë të parë, ndërsa qyteti thjesht vazhdon të kujtojë veten tek ne.

Prizren, 2026/QendraPress/