PSD paralajmëron gaz lotsjellës nëse Kurti e themelon Asociacionin
Në vazhdën e diskutimeve, për qëndrimet e PSD-së, karshi situatave politike në vend, Nol Nushi nga kjo parti tha se nëse kryeministri Albin Kurti do ta themelojë Asociacionin “do ta ketë gazin [lotsjellës] aty”.
Nushi tutje e kritikoi qasjen e opozitës për të cilën tha se po shpresojnë se vijnë në pushtet duke e rrëzuar Kurtin ndërkombëtarët.
“Krejt opozita në Kosovë krejt kartat i ka duke i thënë bëje Asociacionit duke menduar që nuk e bën. Krejt opozita shpresojnë që nuk e bën e vijnë ata të jashtit e rrëzojnë e vijnë këta edhe e bëjnë”, tha Nushi, në “Debat Plus”.
Nushi tutje tha se serbët e Kosovës nuk dëshirojnë të jetojnë në Kosovë dhe integrimi i tyre është shumë i vështirë.
Sipas tij, ripërcaktimi i kufijve është zgjidhja më e mirë e jo themelimi i Asociacionit.
“Është i rëndësishëm vullneti jonë për shkëmbim, por është më i rëndësishëm i njerëzve. Sot ka njerëz që nuk ka vullnet të jetojnë në Kosovë. Unë e besoj, me krejt matjet që kanë dalë, ata me shumë dëshirë do të jetonin në Serbi dhe nuk e duan Kosovën… Hendeku mes nesh si shumicë dhe serbëve si pakicë është zgjeruar dhe është i vështirë me kthyer, nevojiten me dhjetëra vite përpjekje… Kjo do të ishte e mundshme nëse do të ishim në Skandinavi. Nuk e di çka bëhet as me një km katror me shkëmbim. Kur bëhet zgjidhja e shkëmbimit, duhet të ulemi bashkë gjithë shoqëria edhe me vendos cilat janë kushtet tona që të ndodhë ripërcaktimi i kufijve”, tha ai.