Pse burrat i hoqën kapelat e gratë shamitë?

0

Nga: Daut Dauti

Në skenën kryesore të filmit “Girl with a pearl earing” (Vajza me vath perlë), piktori Johannes Vermeer vendos ta bëjë portretin e shërbëtores me vathin e gruas së tij. Është viti 1665 kurse vendi është Holanda. Pasi që vathi nuk duket mirë, piktori i thotë vajzës: “Hiqe shaminë”. Vajza tmerrohet dhe nuk pranon. Në atë kohë, t’i thuaje në Evropë një femre që ta hiqte shaminë, ka qenë sikur t’i thuash “hiqi të gjitha rrobat e trupit”! Kështu ka qenë deri në fillim të shekullit XX.Njësoj ka qenë edhe me burrat. Në fillim të shekullit XX, në Parlamentin britanik në një rast duhej të votohej për një çështje në ndërtesën matanë rrugës. Një deputet, të cilit ia fshehin kapelën me qëllim që të mos votojë, nuk është në gjendje që pa kapelë ta kalojë as rrugën.Në fotot e radhës shihet një tubim politik në Nju-Jork në fillim të shekullit XX kurse në tjetrën një tubim i karakterit të njëjtë, në të njëjtin vend, por 100 vjet më vonë. Siç dëshmon fotografia, të dilje në vend publik pa kapelë, ka qenë sikur të dilje tërësisht lakuriq. Kjo dukuri ndryshoi pas Luftës së Parë Botërore. Ka shumë arsye që kanë ndikuar në heqjen e kapelës dhe shamisë, por të gjitha e theksojnë anën praktike. Zhvillimi i teknologjisë krijoi një jetë që kërkonte rroba praktike.Studiuesit e këtij fenomeni thonë se kapela u zhduk te burrat dhe gratë për shkak se lëvizja me to në jetën moderne ishte pengesë. Ishte problem të hyje e të dilje me kapelë në autobus, tren dhe sidomos në vetura që u shumuan shpejt. Për këtë arsye, kapelave iu zvogëlua cilindri, por nuk ndihmoi as kjo gjë. Arsyeja tjetër është ushtria dhe lufta. Njerëzit që ktheheshin nga ushtria dhe sidomos nga Lufta e Dytë Botërore, ishin ngopur me kapela dhe refuzuan t’i bartnin edhe me rroba civile. Njësoj ndodhi edhe me gratë. Por, te gratë ndikim të madh pati edhe Holivudi (filmi). Gratë filluan t’i kopjojnë aktoret që i reklamonin stilet e flokëve dhe dukeshin më bukur pa shamia e kapela.Natyrisht, shamia dhe kapelat janë zhdukur në proces e jo brenda natës. Si datë e fundit të vdekjes së kapelës konsiderohet dita e inaugurimit të presidenti amerikan John F. Kennedy më 1961. Kennedy kapelën e kishte me veti, por doli kryeshplutë kur e mbajti fjalimin e rastit. Ishte presidenti i parë që veproi në këtë mënyrë dhe ky ishte fundi i kapelës.Po në këtë kohë, kapela (fjala është për plisin) dhe shamia filloi të hiqet edhe te ne. Kjo nuk ishte për arsyet që po zhdukej në Perëndim, por te ne erdhi si kopjim i modës dhe u quajt emancipim. Në vitin 1986, në Gjakovë kam qëndruar disa orë në dyqanin e këtij mjeshtrit që shihet në foto. E kam përcjellë procesin se si prodhohet një plis. Punë e vështirë. Mjeshtri ankohej për mungesë të blerësve. E mbante mend kur në Gjakovë kishte me dhjetëra punëtori si të tijat dhe tashti kishte mbetur vetëm ai dhe më duket një tjetër.Mes dy luftërave botërore në qytetet e Anglisë ata që dilnin pa kapela sulmoheshin nga punëtorët e fabrikave të kapelave. Nuk ishte vetëm për shkak se po thyhej tradita, por njerëzit po mbeteshin pa punë dhe po pësonte një degë e industrisë./Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *