“Pse duhet të fokusohemi në energjinë e gjelbër” – Zyra e BE-së në bashkëbisedim me studentët e Universitetit të Prizrenit
Zyra e BE-së në Kosovë ka mbajtur një bashkëbisedim me studentët e Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit nga Universiteti i Prizrenit, me temën “Pse duhet të fokusohemi në energjinë e gjelbër”, me qëllim për të promovuar mbështetjen e tyre në Kosovë, me theks të veçantë për energjinë e gjelbër dhe rininë, raporton Ekonomia Online.
Temat kryesore që u diskutuan ndërmjet përfaqësuesve të BE-së dhe studentëve ishin energjia, burimet e ripërtërishme, përkrahja e BE-së për sektorin energjetik, programet dhe projektet rinore të mbështetura nga BE-ja dhe përkrahja e përgjithshme për Kosovën.
Që nga viti 2007, BE-ja ka mbështetur Kosovën me 194.6 milionë euro për sektorin e energjisë.
Me këtë rast, AnnaCarin Platon, zëvendës-shefe e Zyrës së BE-së, bëri të ditur se Kosova do të përfitojë 75 milionë euro si pjesë e pakos së fundit të mbështetjes së energjisë së gjelbër.
“BE-ja është e përkushtuar të mbështesë Kosovën në tranzicionin e gjelbër, duke përfshirë asistencën teknike dhe investimet në efiçencën e energjisë, energjinë e rinovueshme, tranzicionin nga qymyri dhe investimet në menaxhimin e mjedisit”.
“Kosova do të përfitojë 75 milionë euro për projektet e energjisë diellore dhe sistemet e ngrohjes qendrore me energji të pastër në tetë qytete, si pjesë e pakos së fundit të mbështetjes së energjisë”.
Platon gjithashtu potencoi edhe humbjen e investimeve si pasojë e mos-tranzicionit në energji të gjelbër.
“Përveç ndikimit në mirëqenien dhe shëndetin, tranzicioni në energjinë e gjelbër sjell edhe investues në Kosovë”, theksoi ajo.
“Shumë kompani të interesuara kanë shprehur shqetësimet e tyre për emetimet e CO2, e kjo tregon se përveç kostove të tjera, edhe kostoja oportune është shumë e lartë”.
Alessandro Bianciardi, zëvendës-shef i bashkëpunimit i Zyrës së BE-së, tha se Kosova ka nevojë të prodhojë energji në mënyra të tjera të pastra, e jo vetëm nga thëngjilli.
“Shoqëria jonë mund të funksionojë si një pyll, i cili nuk ka nevojë për asnjë impiant energjetik – ka energji diellore, energji të erës etj. Kosova mund të bazohet në këtë shembull, prandaj prodhimi i energjisë duhet të decentralizohet dhe të diversifikohet”.
“Në Kosovë 95% e energjisë prodhohet nga thëngjilli. Qëllimi i BE-së për Kosovën është që të ketë sa më shumë alternativa ‘të pastra’ të prodhimit të energjisë”.
Mes tjerash, në këtë diskutim u tha se deri në vitin 2030 BE-ja ka qëllim që të reduktojë emetimet neto të gazeve serrë me të paktën 55%.
Në anën tjetër studentët shprehën shqetësimin e tyre me dëmin që i bëhet ambientit nga termocentralet dhe shprehën idetë e tyre për një të ardhme të gjelbër, me energji të pastër. Poashtu kërkuan nga zyrtarët e Zyrës së BE-së të vazhdojnë mbështetjen e tyre në këtë drejtim.
730 milionë euro janë zotuar për të mbështetur zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Kjo ngjarje informuese është pjesë e fushatave të Zyrës së BE-së #ForYouWith You (e cila promovon mbështetjen e BE-së për Kosovën) dhe #ForGoodEnergy, dhe do të vazhdojë edhe në komunat e tjera.