PSE U DASHKA TË MBROHET ME KAQ PASION ARMIKU I TËRBUAR – shkruan: Prof.Dr.Milazim KRASNIQI

                       Këto fjalë që do të citohen këtu, nuk janë të Vuçiqit, as të Daçiqit, as të Vulinit. Janë të Edi Ramës! Ja çfarë thotë Edi Rama: “Serbia nuk mund të lirohet shpejt nga varësia kryesisht e gazit rus, por tri herë ka votuar kundër invazionit rus në Ukrainë në Kombet e Bashkuara. Ky është rast unik, këtë askush nuk e ka pritur. Megjithatë, Ballkani mbetet rreth i pambrojtur. Lufta në Ukrainë do të mund të eskalonte, madje të sjellë edhe te konflikti i hapur.” (b92, 6 korrik 2022) Këtë deklaratë të Edi Ramës, si avokat i Serbisë, njeriu shqiptar e lexon, i fshin sytë dhe prapë nuk e beson. Këso avokatie për Serbinë nuk bën askush në Evropë, përveç ndoshta Llukashenkos dhe ambasadorit rus në Beograd, Harqenko. Edi Rama do të duhej t’u tregonte shqiptarëve cili është interesi shqiptar, që të mbrohet Serbia me kaq pasion. Pse duhet të mbrohet armiku më i madh i kombit shqiptar? Pse duhet të mbrohet shteti serb, i cili brenda një dekade të viteve 90, ka bërë katër luftëra agresive në Evropë, duke rrezikuar paqen dhe duke mundësuar penetrimin rus? Pse duhet të mbrohet shteti që përditë kërcënon me kthim hakmarrës në Kosovë? Dhe mbi të gjitha, pse duhet të mbrohet me spekulime, kur dihet botërisht që Serbia është qartë në anën e Rusisë? Këtë nuk mund ta fshehë as vetë Serbia e as Edi Rama. Pyetja më logjike në këtë rast është: vërtet a mendojnë kështu si Edi Rama të gjithë ata shqiptarë në Shqipëri, që e lejojnë një person të tillë të jetë kryeministër shqiptar? Apo mos ai ka dalë pakthyeshëm nga shinat e vullnetit të tyre politik?/qendrapress.com/