Publikohen dëshmi të reja: Serbi i arrestuar në veri kishte qenë ushtar i Millosheviqit në Koshare
Vetëm pak orë pasi nga Serbia hyri në territorin e Kosovës për t’iu bashkuar protestave të dhunshme në veri, veterani i ushtrisë serbe, Sinisa Jevtic, u arrestua.ATV-ja merr vesh se ai u arrestua në mbrëmjen ndërmjet të martës dhe të mërkurës në veri të vendit.
Deri në kufi atë e përcolli deputeti ultra-nacionalist në parlamentin e Serbisë, Erac Strahinja, nga partia rusofile e ekstremit të djathtë. Jevtic ka shërbyer në ushtrinë serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe mes tjerash ka luftuar në Koshare kundër UÇK-së. Ai mban me krenari në profilin e tij në Facebook dekoratën hero dhe medaljen e ndarë nga kasapi i Ballkanit, Slobodan Milosevic. Para se të nisej për në Kosovë, Jevtic kishte shpërndarë njoftime që bëjnë thirrje për mobilizim të veteranëve të ushtrisë serbe, për, siç thuhet, “çlirimin përfundimtar të tokës së shenjtë” – referuar Kosovës. Në mbrëmjen e së dielës, 47-vjeçari nga Kryshevci shihet në disa video me një grup njerëzish, përfshirë deputetin Strahinja, teksa këndojnë këngë nacionaliste serbe – që shpërfaqin pretendimet territoriale mbi Kosovën.Në postimet ndër vite Jevtic e konsideron veten serb dhe rus, teksa shpreh haptas përkrahjen për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, përmes simbolit Z.Ky simbol u vizatua në mjetet e Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe mediave që përcollën ngjarjet e dhunshme në veri.Para nisjes për Kosovë, Jevtic kishte shpërndarë mesazhe përkrahëse të sulmeve ndaj KFOR-it dhe Policisë.